Flash News

KRYESORE

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen e Donika Prelës

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen

Komisioni Publik, Florian Ballhysa dhe prokurorja Donika Prela nuk lëvizën nga qëndrimet e mëparshme në seancën e konkluzioneve përfundimtare përballë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të premten.

Ballhysa kërkoi shkarkimin e ish-drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa Prela kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj në detyrë.

“Pretendimet e reja të paraqitura nga subjekti nuk arritën të ndryshojnë qëndrimin për shkaqet që kemi ngritur, të cilave u qëndrojmë të gjitha,” tha Ballhysa, duke theksuar se bashkëshortët Prela nuk kishin pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti në vitin 2012 në Tiranë.

Sipas Ballhysës, Prela nuk arriti të provojë mosdijeninë e saj dhe të bashkëshortit për mospagesën e tatimeve për të ardhurat e përfituara nga puna e këtij të fundit në një shoqëri ndërtuese. Ai shtoi se fakti se një pjesë e pagës është depozituar në bankë, ndërsa tjetra është tërhequr në arkën e kompanisë, ngrenë dyshimet se bashkëshorti i Prelës ka qenë në dijeni për mospagesën e gjithë detyrimeve nga ana e punëdhënësit.

Komisioneri tha gjithashtu se Prela rezultonte me balancë negative në vitin 2006 në vlerën e 500 mijë lekëve dhe 450 mijë lekë në vitin 2007. Ai shtoi se nuk u arrit të provohej burimi i një huaje 15 mijë euro të deklaruar nga Prela si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë. Ballhysa tha se Prela rezulton me balancë negative në vlerën 2.8 milionë lekëve për blerjen e apartamentit.

Komisioneri nuk e konsideron të krijuar me burime të ligjshme edhe depozitën 4 milionë lekë, për të cilën Prela ka deklaruar si burim shitjen e një apartamenti në Durrës në vitin 2014, që e ka blerë po atë vit për 1.4 milionë lekë. Nga përllogaritja e kryer prej Komisionerit Publik, ka rezultuar se Prela ka qenë në pamundësi për blerjen e këtij apartamenti.

Ballhysa vijoi se Prela nuk kishte aritur të provonte të kundërtën lidhur me vlerën 25 mijë euro që bashkëshorti i saj i kishte dhënë hua ish-punëdhënësit. Komisioneri shpjegoi se në deklaratën noteriale si huadhënës figuron bashkëshorti i Prelës dhe nuk është pasqyruar prokurora e posaçme mes tij dhe një kushëriri për përfaqësimin e këtij të fundit në këtë transaksion.

Komisioneri mbajti të njëjtin qëndrim edhe për një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh, që bashkëshorti i subjektit kishte kryer në favor të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë, ndërkohë që rezultonte i punësuar në Bashkinë Tiranë.

Sipas Ballhysës, në të dyja këto raste, Prela është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë. Ai konkludoi se prokurorja Donika Prela ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë, të pamjaftueshëm dhe në kundërshtim me ligjin.

Për kriterin e profesionalizmit Ballhysa u ndal tek raporti i Prokurorisë së Përgjithshme dhe denoncimet, ku në njërin prej tyre pretendohet se Prela ka mbajtur standarte të dyfishta në kërkimet e saj në gjykatë për dy raste të njëjta, ku të pandehurit akuzoheshin për të njëjtën vepër penale.

Ai i kërkoi gjykatës që të çmojë qëndrimin e Prelës në këto çështje. Komisioneri u qëndroi kërkesave të tij që Kolegji të vlerësojë edhe sjelljen e subjektit gjatë procesit të zhvilluar në KPA, konkretisht lidhur me dy kërkesat për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues, Ina Rama dhe Natasha Mulaj, me pretendimin e gjendjes në kushtet e konfliktit të interesit. Ai i konsideroi dy kërkesat si përpjekje për të shtyrë seancën dhe vonuar procesin, si dhe i kërkoi trupit gjykues që t’i vlerësojë në aspektin e etikës.

Në përfundim, Komisioneri kërkoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK dhe shkarkimin nga detyra të prokurores Donika Prela.

Prela dhe përfaqësuesja e saj ligjore, avokatja Blerina Dodaj i kundërshtuan të gjitha konkluzionet e Komisionerit Publik. “Kolegji duhet t’i vlerësojë të pabazuara të gjitha shkaqet e ngritura nga Komisioneri dhe t’i rrëzojë ato duke lënë në fuqi vendimin e Komisionit,” kërkoi avokatja Dodaj.

Pasi lexoi legjislacionin ku duhej të bazohej rivlerësimi i subjektit, Dodaj i kërkoi Kolegjit që të verifikonte nëse ishin plotësuar ose jo shkaqet për shkarkim. “Është i qartë fakti se në këtë rast nuk ekzistojnë shkaqet e shkarkimit. Ka prova se pasuritë dhe të ardhurat janë deklaruar saktë dhe se janë reale, ashtu si janë deklaruar. Transaksionet janë kryer për llogari të të tretëve dhe nuk kanë qenë objekt deklarimi,” pohoi Dodaj.

Ajo këmbënguli se dy transaksionet, një hua 25 mijë euro që bashkëshorti i Prelës i ka dhënë ish-punëdhënësit R.N. dhe vlera 1.7 milionë lekë që ka paguar në ZVRPP Durrës nuk kanë si burim pasuritë apo të ardhurat e subjektit dhe të bashkëshortit të saj dhe se për këtë arsye nuk duhej të deklaroheshin.

Ajo shtoi se për pagesën e vlerës 1.7 milionë lekë në ZVRPP Durrës, Prela nuk ishte pyetur as në ILDKPKI dhe as në KPK.

“Transaksioni është kryer për llogari të të tretit, me burimet e këtij të fundit dhe me përfitime po për të tretin”, deklaroi Dodaj. Ajo tha se kishin vërtetuar marrëdhënien e bashkëshortit të Prelës me administratorin e shoqërisë ndërtuese për llogari së të cilës ishte paguar vlera 1.7 milionë lekë, edhe për vitet kur ai nuk punonte më aty. Sipas Dodajt, email-et e provojnë se ai ka bashkëpunuar dhe kontribuar për këtë shoqëri edhe kur ishte larguar nga puna.

Avokatja theksoi se e njëjta situatë paraqitej edhe lidhur me huanë 25 mijë euro që bashkëshorti i Prelës i ka dhënë ish-punëdhënësit R.N.. “Në këtë rast, bashkëshorti i subjektit ka vepruar me prokurorë të posaçme. Duke qenë se kushëriri i tij vinte në Shqipëri vetëm një herë në vit për pushimet verore, ka caktuar me prokurorë të posaçme për kryerjen e këtij transaksioni bashkëshortin e znj.Prela. Mospasqyrimi i prokurës së posaçme në deklaratën noteriale të huadhënies është gabim i noterit,” pohoi Dodaj.

Ajo shtoi se për shkak të pamundësisë së huamarrësit, shuma nuk ishte kthyer dot brenda afatit të përcaktuar në prokurorën e posaçme. Dodaj shpjegoi se pavarësisht kësaj, veprimet jashtë afatit të prokurës ishin kryer me dijeninë e të gjitha palëve.

“Pretendimi i Komisionerit se vlera 25 mijë euro është poseduar për katër vjet nga bashkëshorti i subjektit, është i pabazuar. Ato janë poseduar nga huamarrësi R.N.”, theksoi ajo. “Bashkëshorti i znj.Prela ka punuar katër vjet si inxhinier ndërtimi në shoqërinë e z.R.N. dhe ka përfituar rreth 980 mijë lekë. Nuk ka logjikë që punëmarrësi t’i japë punëdhënësit 25 mijë euro borxh”, tha Dodaj dhe sqaroi se bashkëshorti i Prelës vetëm kishte ndërmjetësuar, pasi huadhënësi ishte kushëri i tij, ndërsa me huamarrësin njiheshin për shkak të marrëdhënies së punësimit.

Dodaj tha se edhe në këtë rast nuk gjenin mbështetje pretendimet e Komisionerit se kishte patur detyrim për ta deklaruar këtë transaksion.

Avokatja e Prelës pohoi se nuk qëndronte edhe pretendimi tjetër i Komisionerit se Prela nuk kishte arritur të provonte ligjshmërinë e gjithë të ardhurave të përfituara nga punësimi në shoqërinë ndërtuese “Bruçi” sh.p.k.

“Pretendimi i Komisionerit është i pabazuar pasi provat vërtetojnë të kundërtën. Provohet se bashkëshorti i subjektit ka patur 2 kontrata pune me kompaninë ku janë pasqyruar detyrimet e secilës palë. …Ju keni edhe raste kur paga është depozituar në bankë, por nuk janë paguar detyrimet tatimore. Detyrimin ligjor për të paguar tatimet e ka punëdhënësi dhe kjo është e faktuar,” konstatoi avokatja Dodaj, e cila shtoi se është vërtetuar se punëdhënësi nuk ka paguar detyrimet tatimore edhe për të punësuar të tjerë.

“Të gjitha të ardhurat e bashkëshortit të znj.Prela janë të ligjshme dhe të deklaruara rregullisht. Janë të provuara me dokumente ku është nënshkruar marrja e pagës. Subjekti nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për detyrimet e personave të tretë”, pohoi Dodaj.

Ajo i cilësoi si artificiale përpjekjet e Komisionerit për të lidhur subjektin me mospagimin e detyrimeve tatimore të një pjese të pagave të bashkëshortit. Dodaj tha se Prela dhe bashkëshorti i saj kishin mësuar rastësisht në vitin 2018 se mund të mos ishin paguar të gjitha detyrimet tatimore. Sipas saj, kur bashkëshorti i subjektit kishte takuar një ish-koleg, kishte mësuar nga ai se kishte patur vështirësi për daljen në pension për shkak të mospagimit të sigurimeve për periudhën 2006-2007, nga ana e shoqërisë ku kishin qenë të punësuar.

Dodaj tha se edhe pse në shkallën e parë ishte pushuar gjykimi lidhur me padinë e kryer nga bashkëshorti i prokurores Prela ndaj shoqërisë për mospagesën e detyrimeve tatimore, ai e kishte ankimuar këtë vendim. Sipas saj, punëdhënësi nuk i ka paguar detyrimet vullnetarisht, por vetëm pasi mësoi se do ankimohej vendimi i shkallës së parë.

Avokatja Dodaj kërkoi që të përfshihej në analizën financiare vlera 248 mijë lekë e kursyer në vitin 2005, edhe pse nuk ishte deklaruar. “Është i pabazuar qëndrimi i Komisionerit Publik se nuk duhet konsideruar kjo vlerë vetëm se nuk është deklaruar. Harrimi i deklarimit nuk mund të sjellë moskonsiderimin”, pohoi Dodaj.

Përfaqësuesja ligjore e Prelës deklaroi se nuk qëndronte edhe pretendimi tjetër i Komisionerit për pamundësi për të shlyer huanë në vitet 2008 dhe 2009.

Më pas, e mori fjalën prokurorja Donika Prela e cila përmblodhi qëndrimin e saj lidhur me shkaqet e ngritura nga Komisioneri. Ajo tha se u qëndronte konkluzioneve të paraqitura prej përfaqësueses së saj lidhur me burimet që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë duke ritheksuar se të ardhurat e deklaruara janë reale.

Ajo u ndal edhe në çmimin e blerjes së apartamentit në Durrës për vlerën 1.4 milionë lekë. “Kemi dorëzuar prova që vërtetojnë se çmimi i apartamentit në Durrës është dakordësuar me shitësin. Kemi vërtetuar se një tjetër ish-kolege ka përfituar apartament me çmim thuajse të njëjtë. Ndryshimi i vetëm është se, në këtë rast, bashkëshorti im ka për grua një prokurore, ndërsa financierja e ka bashkëshortin një qytetar të thjeshtë të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Prela.

Ajo solli në vëmendje se Komisioneri nuk paraqiti pretendime për kriterin e pastërtisë së figures, edhe pse në fillim ka kërkuar gjykimin për të tri kriteret.

Lidhur me profesionalizmin Prela u ndal tek denoncimi për trajtimin e dy çështjeve më standarte të ndryshme, kur të pandehurit akuzoheshin për të njëjtën vepër penale. “Në të dy rastet kam respektuar procedurat dhe nuk ka trajtim të ndryshëm”, pohoi ajo.

Lidhur me pretendimin e Komisionerit për shqyrtimin e sjelljes gjatë procesit të rivlerësimit, Prela tha se kjo nuk duhej të shqyrtohej nga trupi gjykues.

“Kolegji duhet t’u japë përgjigje tri pyetjeve: A është Donika Prela e korruptuar? A është e aftë dhe a zotëron pasuri të paligjshme?”, tha prokurorja Prela, duke i kërkuar Kolegjit që të lërë në fuqi vendimin e konfirmimit të saj në detyrë.

KPA vendosi të shtyjë seancën për shpalljen e vendimit më datë 25 shtator, ora 10:00. Reporter.al

Ditari politik

Të fundit