Flash News

KRYESORE

Kompania e basteve konfirmon trukimin e ndeshjes së Luftëtarit: Ndodhën gjëra anormale

Kompania e basteve konfirmon trukimin e ndeshjes së Luftëtarit:

Janë shtuar edhe më shumë dyshimet se ndeshja e turit të dytë para-eliminator të Ligës së Europës mes Luftëtarit dhe ekipit lituanez të Ventspilsit, që përfundoi 3:3 ka qenë e trukuar për qëllime fitimi financiar.

Jo vetëm mënyra se si ekipi gjirokastrit pësoi 3 golat, sjellja e lojtarëve në fushë, lënia në stol e mbrojtësit Xhekson dhe mesfushorit Bregu, por edhe luhatja anormale e koefiçentëve në kompanitë ndërkombëtare të basteve konfirmon një gjë të tillë.

Drejtuesi i kompanisë së njohur ‘Betsafe’ Valter Rozmanis, ka folur për median letoneze sportacentrs.com duke analizuar luhatjet e koeficientëve dhe treguar disa nga arsyet që çojnë në këto luhatje.

“Gjatë pjesës së dytë, ne e hoqëm mundësinë që të luhet ajo ndeshje në baste. Duke qenë se nuk i kam kontrolluar të gjitha, nuk mund të dal në një përfundim të saktë, sidoqoftë, në disa kompani, koeficientët ishin shumë të çuditshëm, që është një nga shenjat dalluese të një ndeshjeje të dyshimtë”

“Shembull është “Bet365” që fitoren e Luftëtarit në minutën e 88, e kishte kuotuar me 2.0, megjithëse skuadra po fitonte me rezultatin 3-2 në atë moment. Normalisht, ky koeficient nuk duhet të jetë më i lartë se 1.2. Duke parë se si shënoi Ventspilsi golin e tretë mund të thuhet se kanë ndikuar faktorët e jashtëm, pasi ishin shënuar edhe 5 gola më parë, por sërish kjo gjë nuk duhet ta rrisë aq shumë koeficientin”

“Ky është vetëm mendimi im në vlerësimin e fakteve që kam në dispozicion. Raportet e tilla të paqëndrueshme zakonisht tregojnë një ndeshje të dyshimtë. Mund të quhen edhe gabime njerëzore lëvizjet e koeficientëve, por ama kjo gjë verifikohet nga bilanci që ka pasur “Bet365″. Kompania jonë e ka mbajtur këtë ndeshje LIVE deri në fundin e pjesës së parë”, u shpreh Rozmanis.

Nuk përjashtohet mundësia që UEFA të marrë shpejt masa ndaj ekipit të Luftëtarit, ashtu siç veproi ndaj Skënderbeut, të cilin e pezulloi me 10 vite nga kompeticionet europiane dhe me 1 milion euro gjobë për shkak të manipulimit të disa ndeshjeve.

Të fundit