Kompania që i ofroi kontratë pune Endrit Dokles ka një urdhër sekuestrimi

Kompania “Mateo Konstruksion sh.p.k” e cila i siguroi një kontratë pune Endrit Dokles, anëtar i bandës së Durrësit dhe që u përdor nga gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krujës si argument në vendimin e marrë për ta liruar me kusht, gjendet në sekuestro konservative.  Kontrata e Dokles u lidh me këtë kompani më 26 tetor 2019, kohë kur ai vuante dënimin burgun e Fushe-Krujës.

“Unë administratori i shoqërisë, Agim Cako deklaroj se pas vuajtjes së dënimit prej shtetasit Endrit Dokle do ta punësoj pranë shoqërisë “Mateo Construction shpk”, me detyrën e punëtorit të ndërtimit. Kontrata është për 1 vit dhe paga 350 mijë lek në muaj”, thuhet në kontratën e siguruar nga Abc news.

Por nga një kërkim për kompaninë në Qendrën Kombëtare të Bizneseve, rezulton se është se ajo ka një sekuestro konservative aktive që mban datën 30 prill 2019.

Përmbaruesi Euglent Osmanaj ka urdhëruar se “Mateo Konstruksion ” është debitore ndaj subjektit “Ndue Gjelaj” dhe nuk i është përgjigjur kërkesës për shlyerjen e detyrimeve brenda afatit.

Për këtë arsye ai i ka dërguar QKB-së urdhrin për vendosjen e sekuestros ndaj kompanisë deri në një vendim të dytë.

Pra, gjyqtarja e Krujës, Hoxha, ka marrë për bazë kontratën e një të dënuari me burgim të përjetshëm me një kompani nën sekuestro.

Ndërkohë prokuroria e Krujës reagoi e tha se vendimi nuk është i mbështetur në ligj dhe se do ta ankimojnë.