Gentian Gaba
Nuk është sekret, Teatri Kombëtar ka qenë ‘gozhda e ngulur’ nga Rama i ri, tashmë dy dekada më parë, ndoshta ndër pikat e fundit të realizimit të vizionit të tij, dhe vetëm të tij, të Tiranës së së ardhmes. Mes Ramës dhe realizimit të fiksimit të tij, qëndrojnë sot, sikurse edhe njëzet vite më parë, aktorët. Barrikada e fundit e kësaj përleshjeje.
Le ta themi që në fillim, ligji i veçantë me të cilin po çohet përpara realizimi i projektit të godinës së re të Teatrit Kombëtar, është shugurimi i korrupsionit, hedhur e zeza mbi të bardhë, që do të shënojë rënien totale të shtetit ligjor. Nëse mjegulla e ngritur nga reforma brenda institucioneve të drejtësisë, dhe apatia e një opinioni publik të mësuar me dorën e gjatë të politikës në xhepat e Republikës, mund të krijojnë kushtet për të dhunuar interesin publik; komuniteti i aktorëve, në dukje të vobektë përballë erdoganizmit ramian, po krijojnë një frymë reaguese që mund të prodhojë një bllokim të kësaj shkeljeje flagrante.
Ndonëse Rama, me kapadaillëk dhe arrogancë, mund të tallë këdo që ngre shqetësime për mbarëvajtjen e gjërave nën qeverisjen e tij, duke relativizuar çdo ankesë me refrenin “kështu ka qenë prej 20 e kusur vitesh”, me aktorët situata është krejt ndryshe. Betejën e ka personale. Një armiqësi e vjetër, sa karriera e tij politike, e ekspozon atë pikërisht në fushën në të cilën ai pretendon se shquhet dhe njeh, artin. Artistët, të keqpaguar, të keqtrajtuar, të keqorganizuar kanë në kahun e tyre një fuqi emocionale që po e shfaqin dita ditës.
Atrofizimi kulturor që shënon prej kohësh jetën publike, po shkundet nga fytyrat, zërat, dhe personazhet që kanë interpretuar ndër vite, duke përcjellë te çdo shqiptar një fije drite, që ndriçon errësirën me të cilën propaganda e mazhorancës vesh aktet e saj. Ndrenika, Kabashi, Asqeriu dhe shumë të tjerë, kanë sot më shumë forcë se cilido opozitar. Përballë kësaj falange talentesh, Rama ka një arsenal të limituar opsionesh. Njëri prje tyre është përçarja e kundërshtarit, duke joshur ata që nuk e përballojnë dot betejën me mazhorancën. E dyta është delegjitimimi i artistëve nga kolegë baltëhedhës, që, në teori, duhet të ndajnë të njëjtën llogore. Njëri prej tyre është drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli, i cili akuzave të Mirush Kabashit si “censor”, iu përgjigj me kundërakuza mbi rrogën e artistit që ky i fundit paskësh përfituar qyl. Në këtë lojë ishte i domosdoshëm një anti-hero si drejtori i Teatrit; sigurisht jo në funksion të mbrojtjes së ligjit, por të poshtërimit të një ‘kundërshtari’ që po thotë diçka me vlerë për interesin e përgjithshëm. Banalizimi i një debati të drejtë, nëpërmjet përmendjes së rrogës, e ul tempin e betejës publike aty ku i intereson atyre që duan disfatën e artistëve.
Të gjithëve mund t’ju gjejmë cene private, me anë të të cilave mund të godasim një mesazh që, në thelb, është i drejtë. Dikujt mund t’i përmendet pasioni për gotën, dikujt makutëria, apo dobësia për seksin tjetër, apo të njëjtit (në fund të fundit janë artistë!); megjithatë, lajmësi dhe mesazhi janë dy gjera krejt të ndryshme në këtë rast. Nëse gara për të gjetur pikën më të dobët do të përcaktonte finalen e kësaj shfaqeje, publiku do ta kishte shumë herë më të lehtë për të zgjedhur. Po të luajmë të njëjtën lojë me drejtuesin e Teatrit, mund t’i kujtojmë një ves të tij tashmë publik, dashuria për lojrat e fatit. Të gjithë i kemi parë ecejaket midis bankomatit dhe kazinosë. Një pasion normal në këtë marrëzi të pafundme bixhozi, por që thotë shumë për identitetin e tij; ndoshta edhe më shumë sesa ai mund të dijë për veten. Quhet ‘kompleksi i kumarxhiut’.
Opinioni i përgjithshëm mbi kumarxhinjtë mund të reduktohet kryesisht në tezën naive se ata duan të arrijnë sasinë më të madhe të parasë brenda një kohe sa më të shkurtër, dhe pa u munduar shumë. Veçse, shqyrtimi i psikologjisë së kumarxhiut, tregon se lojtari nuk është thjesht një person që dëshiron të fitojë duke ndjekur rrugën më të shkurtër; por është një neurotik me një dëshirë të pavetëdijshme për të humbur. Loja është një veprim i pavetëdijshëm i fantazive të vjetra fëmijërore të madhështisë dhe megalomanisë, nëpërmjet të cilës i jep udhë rebelimit latent kundër logjikës, shkathtësisë, maturisë dhe moralit. Përballë një artisti me një karrierë 48 vjeçare, zëri i të cilit kumbon për interesin e përgjithshëm, dhe një megalomani me dëshirën e pavetëdijshme për të humbur, një betejë që lufton për interes të dikujt tjetër, zgjedhja e publikut duket më e lehtë.
Vëmë bast?!
Discussion about this post