Flash News

KRYESORE

Konferencë për 30 qershorin; Rama e nis me dy bashkitë e djathta që i kanë mbetur ‘peng’

Konferencë për 30 qershorin; Rama e nis me dy bashkitë e djathta

Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një konferencë me gazetarët pas regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Rama e ka nisur fjalimin me dy bashki që i kanë mbetur peng në karrierën si kryetar i Partisë Socialiste, Shkodrën dhe Kukësin, në të cilat nuk ka arritur të thyejë dominimin, që duket si ‘i përjetshëm’, të Partisë Demokratike.

Për Valdrin Pjetrin në Shkodër, Rama tha: “Në Shkodër kemi një individ që meriton të gjithë respektin e të gjithëve ne, edhe timin, pasi e kam njohur në kryerjen e disa detyrave të rëndësishme. I përket atij komuniteti si pjesë një familje me rrënja të thella në Shkodër dhe me traditë familjare shumë të rëndësishme.”

Për Safet Gjicin në Kukës, Rama tha: “ I kemi dhënë Kukësit një kandidat të duhur për të bërë ndryshim të rëndësishëm për atë bashki. Një personazh i njohur për komunitetin dhe që në detyrën e prefektit të Kukësit ka dhënë prova të mjaftueshme për të qenë një administrator i aftë.”

Kryeministri Rama është përpjekur disa herë që t’i kthejë të majta Shkodrën dhe Kukësin, qoftë në zgjedhjet lokale apo qoftë në zgjedhjet parlamentare, por deri më sot nuk ia ka arritur.

Sa i përket kandidaturave të tjera, Rama tha ndër të tjera: “Në tërësi kandidaturat në zona ende të prapambetura të vendit, për një mijë e një arsye që dihen, dhe në zona pak më të thella, që nga Tropoja dhe deri në Konsipol, janë kandidatura që meritojnë të konsiderohen me vëmendje dhe të votohen nga komunitetet.”

Partia Socialiste po shkon e vetme në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, pa opozitën, e ndihmuar paksa nga disa parti të vogla, me të cilat pretendon të justifikojë demokracinë në procesin zgjedhor. Zyrtarë të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe kanë theksuar se zgjedhjet pa opozitën mund të jenë ‘ligjerisht të pranueshme’, por jo sa i përket aspektit demokratik.

PD dhe LSI nuk pranojnë të regjistrohen për zgjedhjet lokale për sa kohë Edi Rama do të qëndrojë në postin e kryeministrit. Partitë opozitare kërkojnë krijimin e një qeverie teknike për të bërë të mundur organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Të fundit