Flash News

KRYESORE

Konflikti për kujdestarinë e fëmijëve, motra e Hafizit përballë vëllezërve të Kasemit

Konflikti për kujdestarinë e fëmijëve, motra e Hafizit

Dy ditë më parë, në Gjykatën e Tiranës u zhvillua seanca e parë për kujdestarinë e dy fëmijëve të Fildez Hafizit dhe Fadil Kasemit, ku në atë seancë Kasemi, ishte thjesht palë e interesuar.

 Ndërkohë që motra e Fildezit kërkon të marrë kujdestarinë për fëmijët, edhe Kasemi ka pretendimet e tij. Një gjë të tillë e konfirmon për “Panoramën” avokati i tij, Klodian Reci. I kontaktuar nga gazeta, Reci thotë se vëllezërit e Kasemit i plotësojnë kushtet ekonomike për të rritur dy fëmijët. Sipas tij, edhe vetë Kasemi është i interesuar që fëmijët të rriten dhe edukohen pa u munguar asgjë.

 Në seancën e dy ditëve më parë, Kasemi u përball me ish-kunatën e tij, dhe sipas burimeve, në lidhje me kujdestarinë e fëmijëve, ai tha se kishte motra dhe vëllezër plot. Duket se marrja e kujdestarisë së fëmijëve nuk do të jetë e lehtë për motrën e të ndjerës. Nga ana tjetër, Kasemi ende nuk ka shfaqur ndonjë pendesë për krimin e kryer, por, në Prokurori, ka thënë se u kërkon falje fëmijëve. Gjithashtu, ai ka thënë se nuk mban mend shumë detaje nga ngjarja, çka ka shtyrë avokatët e tij të kërkojnë akt-ekspertizë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka aprovuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të Kasemit, për ta kryer akt-ekspertimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, ndërkohë që procesi gjyqësor ndaj tij, ende nuk ka nisur. Një gjë të tillë e konfirmon për “Panoramën” avokati i Kasemit, Klodian Reci. Aktualisht, Fadil Kasemi është nën masën e sigurisë “arrest me burg”. Ekspertiza mjekësore do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore. Vendimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për aktin në fjalë është marrë më 29 shtator të këtij viti dhe mban firmën e kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Pasi të kryhet akt-ekspertimi për shëndetin mendor të Fadil Kasemit, ai do të administrohet si provë në dosjen hetimore. Burime nga Prokuroria thonë se një gjë e tillë bëhet pa nisur procesi, në mënyrë që të mos ketë kërkesa të tjera për ekspertim psikoligjor gjatë procesit, çka do ta zgjaste apo zvarriste më tepër atë. Në rast se Kasemi del i papërgjegjshëm mendërisht në akt, ai mund t’i shpëtojë dënimit me burg për krimin, në të kundërt, rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.

Të fundit