Kongresi elektoral, ish-deputeti: PS ka një detyrim ligjor, do të kënaqte prezencën e OSBE në Tiranë dhe ambasadorin Borchardt

Zv.kryetari i LSI, luan Rama i ka kërkuar Partisë Socialistë që të bëjë publike dhe transparente të gjitha shpenzimet e kongresit elektoral që u mbajt dje në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe në sheshin ‘Nënë Tereza’.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama shton se një gjë e tillë do të kënaqte shumë edhe prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe ambasadorin Borchardt, pasi transparenca financiare e partive politike është për ta një prioritet i pandryshueshëm!

Reagimi:

Partia Socialiste duhet të bëjë transparencën e shpenzimeve të mitingkongresit të vet.

Një gjë e tillë do të kënaqte shumë edhe prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe ambasadorin Borchardt, pasi transparenca financiare e partive politike është për ta një prioritet i pandryshueshëm!

Edhe në sallë, edhe në rrugë, edhe në shesh. Të mbledhur me përdhunë, erdhën prej gjithkah në mitingkongresin e tyre dhe u bënë kongresmenë. Pushteti na dëshmoi forcën e vet, dhe ata, kongresmenët, dashurinë e tyre për partinë dhe timonierin e saj.
Gjithçka shkoi sipas skenarit, e sot, Tirana dhe e gjithë Shqipëria është po ajo që ishte, e vërteta mes hallesh e problemesh pafund, teksa po e mbyll javën me pesë të vrarë në gjashtë ditë!
Dhe si për ironi të të gjithë butaforisë, organizatorët kishin zgjedhur për kolonë zanore një refren të denjë për përmasën e shëmtisë së tyre:
“Jepi volum, jepi volum,
Bum-bum-bum-buuum,
Bum-bum-bum-nuuum,
Edhe me shumë, edhe me shumë,
Bum-bum-bum-buuum,
Bum-bum-bum-buuum!…
Shumë mirë e shumë bukur, por tani Partia Socialiste ka një detyrim; një detyrim ligjor. Duhet të bëjë transparencën e të gjitha shpenzimeve të kryera në veprimtaritë e mitingkongresit të vet, zë për zë e me të gjitha faturat tatimore duke publikuar të gjitha kontratat dhe pagesat e kryera, mënyrën e pagesave dhe burimin e të gjitha shpenzimeve.
Eshtë detyrim ligjor, por edhe respekt për qytetarët, është dëshmi e edukatës së zbatimit të ligjit!
Një gjë e tillë do të kënaqte shumë me siguri edhe prezencën e OSBE-së në Tiranë dhe ambasadorin Borchardt, pasi transparenca financiare e partive politike është për ta një prioritet i pandryshueshëm!