Flash News

KRYESORE

'Konrad Adenauer' dhe Politiko, Tryezë për simbolet e së djathtës. Debatet pas kumtesave të Mustafajt, Markut dhe Zekthit

Të premten, më 28 shtator, 'Fondacioni Konrad Adenauer' dhe Politiko organizojnë tryezën e debatit “E djathta shqiptare dhe simbolet e saj”. Folësit kryesorë të këtij forumi idesh janë shkrimtari Besnik Mustafaj, studiuesi Mark Marku dhe politologu Fitim Zekthi. Mustafaj do të shtjellojë idetë e tij rreth tezës 'Kujtesa e shpërfillur e demokratëve', duke u ndalur në përpjekjet, sukseset dhe dështimet e PD ndër vite për të instaluar një peizazh kujtese për ndjekësit dhe historinë e vet.

Mark Marku, me një tezë origjinale dhe kontroversiale, do të shtjellojë se pse sipas tij etërit themelues të idesë së kombit shqiptar janë njëherësh edhe themeluesit e së djathtës shqiptare. 'Zanafilla e së djathtës, Rilindja Kombëtare', titullohet kumtesa e pedagogut të Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit.

Fitim Zekthi, politolog dhe mbrojtës i ideve konservatore në politikë, do të kumtojë për të pranishmit tezën 'E djathta, simbolika si dëshmi e substancës'.

Përpjekja e tryezës së organizuar nga 'Konrad Adenauer', përfaqësues i së djathtës gjermane në Shqpiëri dhe think tank-u Politiko është identifikimi i simboleve të së djathës shqiptare, pavarësisht cilës rrymë i përkasin, qendrës, partive tradicionale nacionaliste të Legalitetit dhe Ballit, konservatorëve të rinj, e të tjerë, dhe për të hartuar një databazë të tyre.

Tryeza do të jetë e hapur ndaj debatit dhe për këtë arsye pas çdo kumtese do të ketë një fashë kohore për pyetje dhe diskutime.

Në kushtet kur debati për Kujtesën është vazhdimisht i pranishëm, e djathta mund të përfitojë për të krijuar fizionominë e saj në raport me komunizmin, të majtën por edhe me historinë e vet politike dhe ideologjike. Komunizmi ka bërë shumë që, me anë të propagandës së fortë 45 vjeçare, nëpërmjet filmave dhe kinematografisë socrealiste të krijojë ‘reaksionarin’, ‘konservatorin’, ‘borgjezin’, figura që janë lidhur tradicionalisht me të djathtën dhe që janë ngulitur si pezhorative.

Të fundit