Koronavirusi, OBSH e shqetësuar: Rastet në botë nuk kanë lidhje me Kinën

Organizata Botërore e Shëndetësisë shpreh me shqetësim se shtimi i rasteve të prekur nga koronavirusi nuk ka lidhje me Kinën.

Drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom tregoi rastet e fundit të të prekurve, për Iranin dhe Libanin.

Ai theksoi gjithashtu se beson që epidemia mund të kontrollohet.

Irani raportoi në dy ditët e fundit 18 raste të reja dhe 4 të vdekur. Kjo është shumë shqetësuese dhe nuk përfundon me kaq. Ka një rast që lidh Iranin me Libanin. Është një 45-vjeçare që bën lidhjen mes këtyre pikave dhe është shumë shqetësuese.

Rastet që shohim në pjesën tjetër të botës, edhe pse është një numër i vogël, por që nuk lidhen me Wuhanin apo Kinën, janë shumë shqetësuese. Megjithatë besojmë se epidemia mund të mbahet nën kontroll”, u shpreh Tedros Adhanom, drejtor i përgjithshëm i OBSH.

Në Kinë numri zyrtar i viktimave është 2236 persona dhe rastet e konfirmuara më shumë se 75 mijë. Virusi ka goditur tashmë sistemin e burgjeve në vend, me më shumë se 500 të burgosur të infektuar.

Virusi është përhapur në të gjithë globin, me më shumë se 1 mijë raste të konfirmuara dhe disa viktima në Azi, Evropë, Lindjen e mesme, Shba dhe Afrikë, ndërkohë që të premten Italia konfirmoi se numri i rasteve të prekura nga koronavirusi i ri në vend, kishte shkuar në gjashtë.