Kosova dhe Serbia takohen në Shtëpinë e Bardhë në 2 shtator

I dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka deklaruar se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Uashington më 2 shtator për bisedime

Grenell përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan: “Jemi të lumtur të njoftojmë se liderët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, më 2 shtator për të biseduar”.

 

Reagon kryeministri Hoti: Takohemi me Serbinë si dy vende të pavarura

Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar menjëherë pasi emisari i SHBA konfirmoi datën e re të nisjes së bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Hotit, në 2 shtator dy vendet do të diskutojnë si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit.
SHBA ka qenë gjithmonë vendimtare në procesin e shtetndërtimit të Kosovës.
Më 2 shtator takohemi në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar me palën serbe, si dy vende të pavarura, për projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit.
Kosova është e bekuar me miqtë që ka”, shkruan Hoti.

Thaçi: Mirëpres njoftimin për takim

Presidenti i Kosovës ka reaguar Hashim Thaçi ka reaguar pasi emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell konfirmoi takimin në Shtëpinë e Bardhë në 2 shtator.

Në një reagim në twitter, Thaçi shkruan se mirëpret takimin e paralajmëruar, por nuk sqaron nëse do të marrë pjesë në takim.

“Mirëpres njoftimin për takim mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. Jemi mirënjohës për përkushtimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, shkruan Thaçi.

Fillimisht, ky takimi në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Grenell ishte planifikuar në  27 qershor, por u shty për shkak se Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.