Kosova fiton “derbin ballkanik”, Anglia e kthen në tenis

Kosova ka autoritet dhe cilësi. Skuadra përfaqësuese e dardanëve sot fitoi 2-0 ndaj Malit të Zi dhe festoi një sukses të madh në të ashtuquajturin “derbi ballkanik”.

Rrahmani shënoi golin e parë të avantazhit, përpara se Muriqi të dyfishonte duke siguruar fitoren e tretë në 6 ndeshje për Kosovën. Tashmë llogaritë vijojnë të jenë të hapura për skuadrën e Challandes, sepse Kosova pozicionohet e dyta në grupin A, 1 pikë larg Republikës Çeke.

Ndërkohë, Anglia shkatërroi 6-0 Bullgarinë dhe festoi si Kosova në fushë, por jo edhe aq jashtë saj. Tifozët bullgarë gjatë takimit ofenduan me thirrje raciste anglezët dhe për ta pritet dënimi. Për “Tre luanët” shënuan Rashford, Barkley (2), Sterling (2) dhe Kane.

Ishullorët akoma nuk e kanë siguruar kualifikimin, kështu që grupi A do të vijojë të ketë plot emocione.