Kosova nuk ia del dot, Çekia i zbeh shpresat e Euro 2020

Këtë të enjte pritëm një fitore të madhe nga Kosova, e cila iu afrua më shumë se kurrë kualifikimit historik në Kampionatin Europian, por nuk ishte e shkruar të ndodhte. Të paktën, jo sonte.

Me mungesën e sulmuesit kryesor Muriqi, Dardanët nuk ia dolën të mposhtnin Republikën Çeke, duke humbur 2-1. Vëllezërit nga Kosova, me një përfaqësuese fantastike dhe premtuese, që na ngre zemrat peshë sa herë prek topin, ndoshta u motivuan edhe më shumë nga disa provokime në stadium, por në fund nuk morën 3 pikët.

Goli i Nuhiut në të 50′ na dha shpresë se Kosova do të bënte një fitore spektakolare, gjë do e afronte pranë Kampionatit Europian, por jo. Në të 71′ shënoi Kral dhe në të 79′ Celutska.

Kjo ishte një përmbysje që na lë duarthatë në këto momente, sepse sytë i kishim edhe te Shqipëria, edhe te Kosova. Të paktën jemi me fat që po shijojmë një brez që na bën të ëndërrojmë. Rashica me shokë janë yje.