Flash News

KRYESORE

Kosova refuzoi ftesën e Ramës për mini-Shengenin, si e argumentojnë analistët: Dinë diçka më shumë sesa dihet në publik

Kosova refuzoi ftesën e Ramës për mini-Shengenin, si e

Kosova refuzoi sërish të marrë pjesë në takimin për mini-Shengenin Ballkanik, pjesë e së cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ndërsa takimi mes tre liderëve pritet të mbahet për të tretën herë, (këtë herë në Tiranë, pas Novi Sad dhe Ohër), presidenti Hashim Thaçi refuzoi sërish ftesën, me argumentin se Kosova vazhdon të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet nga Serbia.

Por, si e komentojnë analistët vendimin e Kosovës?

Analisti Naim Rashiti në një prononcim për lajmi.net është shprehur se vendimi për mospjesëmarrje të Kosovës arsyetohet me dallimet rajonale që ka shkaktuar kjo nismë.

Sipas Rashitit, kjo nismë është dashur të konsultohet me procesin e Berlinit dhe Samitin e Triestes pasi përndryshe nuk do të ketë sukses.

“E pashë vendimin e tij, por është më tepër reflektimin i situatës së brendshme dhe dallimeve rajonale është shenjë e këtyre dallimeve, një periudhë kur bashkëpunimi rajonal u konsolidua ndërmjet 6 vendeve dhe tani u parcializua dhe si e tillë nuk do të funksionoj. Problemi më i madh është te procesi dhe jo çfarë nënkupton Mini-Shengeni, sepse kjo ide ka shkaktuar parcializimin, nuk ka filluar me konsultime në nivele, ka filluar keq nga niveli më i lartë sepse është duhur të diskutohet në nivelin ndër-qeveritar dhe të konsultohet me procesin e Berlinit dhe Samitin e Triestes sepse kjo rrjedh më tepër nga Forumi Ekonomik Rajonal, këta kanë shkuar më tutje të prodhojnë edhe një frymë tjetër, por ka filluar nga nivele të larta”, tha Rashiti, i cili shton se nuk do të ketë ndonjë marrëveshje nga ky proces për shkak të ekonomisë politike, krimit të organizuar dhe monopoleve të cilat janë prezente në vendet e rajonit.

Nga ana tjetër, analisti Shkodran Ramadani për lajmi.net është shprehur se refuzimi i pjesëmarrjes nga ana e Kosovës nënkupton se politikanët dinë diçka më shumë sesa që dihet në publik.

Sipas Ramadanit, ky vendim ka ndodhur edhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Për Mini-Shengenin dihet pak në publik, përveç takimeve zyrtare publike që kanë ndodhur, nuk është që dihet shumë për përmbajtjen nëpërmjet ndonjë plani ose dokumenti, por meqë Republika e Kosovës ka refuzuar të shkojë, sigurisht kanë informacione për natyrën e projektit dhe për këtë arsye refuzojnë të marrin pjesë, por edhe për shkak të refuzimit të vazhdueshëm të Serbisë për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Kosovën”, tha Ramadani për lajmi.net.

Ramadani ka zbuluar edhe arsyen tjetër pse Kosova nuk do të marrë pjesë në këtë proces, e që është perspektiva evropiane, pasi Mini-Shengeni shihet si zëvendësim i BE-së për rajonin.

“Refuzimi ndodh edhe për shkak të perspektivës evropiane për shkak se mendohet Mini-Shengeni është si zëvendësim për integrimin evropian dhe kjo mund të ketë pasoja afatgjate për të ardhmen e Ballkanit, shembull, procesi i Berlinit ka qenë projekt që ka parë bashkëpunim rajonal në kuadër të BE-së, rreziku është që Kosova ka frikë, edhe Mali i Zi edhe të gjithë që e kritikojnë e shohin si mekanizëm që e rrit edhe më shumë humnerën midis BE-së dhe vendeve të rajonit”, tha Ramadani.

Të fundit