Flash News

Kosova

BE njeh zyrtarisht Kosovën si vend i sigurt për azil

BE njeh zyrtarisht Kosovën si vend i sigurt për azil

Bashkimi Evropian ka shpallur Kosovën dhe shtatë vende të tjera si vende të sigurta origjine për çështjet e azilit. Vendimi u miratua nga Këshilli i BE-së, i cili ka rënë dakord për dy pjesë të reja të legjislacionit që synojnë forcimin e zbatimit të konceptit të “vendit të sigurt” në kuadër të rregullave të azilit.

Sipas njoftimit zyrtar, këto ndryshime janë pjesë e paketës së re të migracionit dhe synojnë të krijojnë procedura më të shpejta dhe më efikase për aplikuesit që nuk kualifikohen për mbrojtje brenda BE-së.

Ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund, u shpreh:
Jam i lumtur që shtetet anëtare kanë rënë dakord për një qasje të përbashkët mbi rishikimin e konceptit të ‘vendit të tretë të sigurt’, i cili u lejon vendeve anëtare të bëjnë marrëveshje me shtete të sigurta jashtë Evropës për përpunimin e kërkesave për azil.”

Vendimi parashikon që Kosova të konsiderohet zyrtarisht vend i sigurt i origjinës, çka nënkupton se kërkesat për azil të qytetarëve kosovarë mund të trajtohen me procedurë të përshpejtuar. 

Megjithatë, përcaktimi si vend i sigurt nuk nënkupton refuzim automatik të çdo kërkese për azil: rastet individuale mund të shqyrtohen nëse paraqiten arsye specifike që justifikojnë mbrojtjen.

Rregullorja e re, e cila përfshin rishikimin e konceptit të vendit të tretë të sigurt, zgjeron gjithashtu rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të shpallet e papranueshme.

Përveç Kosovës, Këshilli ka përcaktuar si vende të sigurta origjine këto shtete: Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Të fundit