Flash News

Kosova

KE kritika dhe vlerësime për Kosovën

KE kritika dhe vlerësime për Kosovën

Komisioni Evropian ka përpiluar raportet e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohen nesëe.

Sipas Radio Evropa e Lirë, Komisioni nënvizon se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pasur ndikim pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Në draftin për Kosovën, vendi veçohet për disa përparime që ka bërë, por, në të shumtën e rasteve, progresi thuhet se ka qenë i kufizuar dhe se duhet të punohet më shumë.

Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Aty, po ashtu, theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

KE thekson se “Kosova ka pasur stabilitet politik”, por nuk e vlerëson pozitivisht punën e Kuvendit të Kosovës.

“Puna e Kuvendit vazhdon të ndikohet negativisht nga atmosfera polarizuese politike dhe vështirësitë për të arritur kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, përkundër faktit se qeveria bazohet në një shumicë të fortë”, thuhet në dokument.

Situata në veriun e Kosovës, ndërkaq, vlerësohet si “sfiduese”, në veçanti sa i përket “korrupsionit, krimit të organizuar dhe kushteve për lirinë e shprehjes”.

Për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit thuhet se Kosova është ende në “një fazë të hershme” dhe se këtu është arritur “një lloj progresi”.

Dokumenti përmend edhe funksionimin e gjyqësorit, i cili vlerësohet si “i ngadalshëm, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të panevojshme”.

Të fundit