Flash News

Kosova

Kosova miraton masat e reja antiCovid, nga 20 gushti kërkohet certifikata e vaksinimit

Kosova miraton masat e reja antiCovid, nga 20 gushti kërkohet certifikata e

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot një mbledhje ku ka vendosur masa të reja kufizuese në kuadër të pandemisë, pas shifrave të larta të infektimeve.

Masat e reja kufizojnë organizimin e festave deri në orën 01:00 të mesnatës me jo më shumë se 50% të kapacitetit të hapësirës. Distanca mes tavolinave duhet të jetë 3 metra dhe duhet të respektohet një udhëzues i veçantë.

“Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në  ora 01:00. Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se treqind (300) të ftuar në rastet kur 50% e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër. Distanca në mes të tavolinave duhet të jetë tri (3) metra. Për mbajtjen e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë për ahengje”, thuhet në vendimin e qeverisë.

Orari i klubeve të natës është zgjatur deri në orën 03:00 pas mesnate. Në ambientet e mbyllura lejohet shfrytëzimi i kapacitetit të hapësirës deri në 50%, ndërsa në ambientet e hapura deri në 70%.

“Klubet e natës lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 23:00 deri në ora në ora 03:00. Kryerja e pagesave si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve në klubet e natës duhet të bëhet deri në ora 03:15. Në ambientet e mbyllura  të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në ambientet e hapura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës”, thuhet në vendim.

Nga 20 gushti e deri më 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, ahengjet familjare e të ngjashme,tubimet masive, të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, do të lejohet vetëm me Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të  antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

 

Të fundit