Flash News

Kosova

Kosovë/ Votojnë Kurti, Haradinaj e Osmani

Kosovë/ Votojnë Kurti, Haradinaj e Osmani

Kosova po voton ditën e sotme për parlamentin e ri të vendit. Qendrave të votimit i janë drejtuar krerët e partive kryesore në vend.

Kreu i AAK-së, e njëkohësisht kandidati për President, Ramush Haradinaj, ka votuar pak më parë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

”E ushtruam të drejtën tonë për të votuar, i lus të gjithë qytetarët që të votojnë. Na presin shumë sfida përpara, përballja me Serbinë, situata me pandeminë, ju lutem votoni të gjithë”, tha Haradinaj pas votimit.

Kreu i lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka votuar pak çaste më parë i shoqëruar po ashtu nga bashkëshortja e tij, në Fakultetin Teknik në Kosovë.

“Sot është ditë e bardhë e ndritshme, ashtu si do të jetë e ardhmja jonë. Qytetarët kanë nevoje për demokraci, institucionet kanë nevojë për legjitimitet, sot kjo nevojë është e drejtë. Kosova si shtet i pavarur këtë të diel i kthehet popullit si burim i sovranitetit, sot duhet të votojmë. Fushata ka përfunduar pardje, sot e kanë fjalën qytetarët”, tha Kurti para mediave.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka votuar së bashku me bashkëshorten në fakultetin e Filologjisë.

“Servetja dhe unë e kryem obligimin tonë kushtetues për të votuar, ftoj të gjithë qytetarët të cilët kanë të drejtë votë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të dalin dhe të votojnë, sot është dita e tyre, ata sot thonë fjalën e tyre”, tha Hoti pas votimit.

Edhe kandidatja për Presidente nga radhët e VetëVendosjes, Vjosa Osmani ka votuar.

“Sot është një ditë e bardhë për Kosovën, është një ditë kur të gjithë qytetarët tanë do ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, do ta përcaktojnë fatin e vendit dhe fatin individual. Është një ditë e ftohtë por ftoj të gjithë qytetarët të votojnë, ftesë e veçantë për të gjitha vajzat dhe gratë”, ka thënë ajo.

Qytetarët e Kosovës, me të drejtë vote kanë mundësi t’iu adresohen kutive të votimit këtë të dielë, duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00.

Të fundit