Flash News

Kosova

Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel!

Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi i parë i tyre këtë vit zhvillohet në kohën kur zyrtarët evropianë, të angazhuar në ndërmjetësimin e procesit, janë drejt përfundimit të mandatit pesëvjeçar.

Gjithçka që BE-ja pret nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, është që ata ta konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj marrëveshjeve që kanë arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që është arritur më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe Aneksi për zbatimin e saj që është arritur më 18 mars, 2023, në Ohër, nuk i kanë nënshkrimet e Kurtit dhe Vuçiqit, sepse presidenti i Serbisë ka refuzuar një gjë të tillë.

Asnjëra palë, deri më tash, nuk ka bërë ndonjë lëvizje drejt zbatimit të ndonjë elementi të kësaj marrëveshjeje.

Prishtina refuzon të punojë për zbatimin e pikës 7 të marrëveshjes, e cila i referohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi vazhdon ta shkelë nenin 4, ku thuhet se nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, BE-ja këmbëngul se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit më 14 shtator të vitit të kaluar.

 

Të fundit