Flash News

Kosova

Kurti takohet në Berlin me Borrellin dhe Lajçakun

Kurti takohet në Berlin me Borrellin dhe Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar në Berlin kryediplomatin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm për Dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.

Zyra e kryeministrit njoftoi se ata biseduan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, çështjen e energjisë, si dhe për vendimin e fundit i Qeverisë për targat ilegale.

“Në lidhje me zbatimin e vendimit për targat ilegale, kryeministri Kurti tha se nëpërmjet sekuencimit në tri etapa dhe shkallë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend. Ndërkaq, ai bëri thirrje që dëmtimi dhe djegia e veturave me targa RKS në veri të vendit, të dënohet nga të gjithë”, thuhet në njoftimin e 3 nëntorit.

Kurti po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në samitin e Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi i Berlinit.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë shprehur të “zhgënjyera” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mosshtyrjen e afatit për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia dhe konvertimin e tyre në targat RKS - Republika e Kosovës.

SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar më 31 tetor kërkuan nga Kosova shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.

Një ditë më vonë, zëvendëskryeminsitri, Besnik Bislimi tha se targat nuk janë më pjesë e dialogut, por vendim që po zbatohet.

Zbatimi i planit të Qeverisë ka nisur më 1 nëntor dhe do të bëhet në tri faza. E para përfshin qortimin e qytetarëve e dyta shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese. Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës - RKS./Rel

Të fundit