Flash News

Kosova

Kurti thirrje serbëve në Kosovë: Të ecim së bashku për një të ardhme më të mirë

Kurti thirrje serbëve në Kosovë: Të ecim së bashku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës është i nevojshëm, por me një fushatë të lirë parazgjedhore. Ai theksoi se për ta realizuar një gjë të tillë nevojitet shtet ligjor.

“Pra, një mjedis ku nuk ka frikë dhe kriminelë. Kjo është ajo që ne duam dhe duhet ta arrijmë së bashku”, ka thënë Kurti në një video-fjalim drejtuar komunitetit serb në gjuhën e tyre amtare.

Ai po ashtu tha se “me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi në hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, gjë që u kundërshtua ashpër nga popullata serbe, e cila është shumicë në atë rajon. Në ato objekte punojnë edhe komunat paralele sipas sistemit serb, të cilat janë ilegale për Kosovën.

Serbët lokalë në veri të Kosovës i kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe tani nuk i pranojnë rezultatet e tyre.

Që nga 29 maji, ata kanë protestuar çdo ditë me kërkesat që kryetarët shqiptarë të mos dalin në punë dhe të tërhiqen tërësisht njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Në fjalimin e tij drejtuar serbëve në veri, kryeministri Kurti tha se është e nevojshme që në të ardhmen “të zbatohet plotësisht dhe pa kushte Marrëveshja bazë e Brukselit, pjesë përbërëse e së cilës është edhe Aneksi i Ohrit”.

Në fund të shkurtit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit të BE-së dhe në mars u pajtuan për aneksin për zbatimin e saj. Ndër të tjera, kjo marrëveshje parasheh që Kosova t'u sigurojë pjesëtarëve të komunitetit serb një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, ndërsa Serbia nuk duhet ta cenojë integritetin territorial të Kosovës.

“Të ecim së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë, duke ndërtuar ura të forta, shkaku i asaj që duam për veten dhe familjet tona. Shtëpia është shtëpi, vendi ynë është shtëpia e të gjithë neve”, tha Kurti, duke theksuar se nuk dëshiron luftë.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më 20 qershor se kriza në Kosovë mund të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe se është shumë i shqetësuar.

Megjithatë, data nuk është përcaktuar ende pasi liderët e dy vendeve nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre./rel

Të fundit