Flash News

Kosova

Në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite për rezistencë ndaj vendimit për targat

Në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite për rezistencë

Në Mitrovicën e Veriu të dielën, më 13 nëntor, u shfaq një mesazh i ri nga e ashtuquajtura “Brigada Veri”, përmes së cilit u bë thirrje për "rezistencë" nga 21 nëntori, kur Qeveria e Kosovës ka thënë se do të nisë gjobitjen e shoferëve që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

“Që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, thuhet në grafitet që janë shfaqur në Mitrovicë të Veriut.

Grafitet me ngjyrë të kuqe, të kaltër dhe të bardhë u panë në qendër të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës – pranë monumentit të Car Llazarit, sheshit kryesor të qytetit dhe në rrugën Krajl Petra.

Fotografitë e këtyre grafiteve janë publikuar edhe në faqen në Instagram të titulluar “Jo dorëzim, KM mbetet”.

Kjo nuk është hera e parë që në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite. Në gusht, në rrugët e këtij qyteti u shfaq grafiti me mbishkrimin: “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu. Po ju presim, Brigada e Veriut”.

Dallimi mes grafiteve të gushtit dhe të 13 nëntorit është se në mesazhe është nënshkruar “Brigada Veri” dhe jo siç ishte më herët “Brigada e Veriut”.

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. Kryesisht bëhet fjalë për targat KM, akronim serb për Mitrovicë e Kosovës.

Plani i Qeverisë është që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa RKS – Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e parë parasheh lëshimin e qortimeve për drejtuesit e automjeteve me targa serbe. Faza e dytë nis më 21 nëntor dhe parasheh gjobë prej 150 eurosh për këta shoferë. Faza e tretë përfshin përdorimin e targave provuese, ndërkaq pas 21 prillit, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm makinat me targa RKS./ REL

Të fundit