Flash News

Kosova

Osmani për CNN: Serbia s’mund të ecë njëherësh në rrugën e Moskës dhe të BE-së

Osmani për CNN: Serbia s’mund të ecë njëherësh

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka akuzuar Serbinë se nuk mund të ecë njëherësh edhe në rrugën e Moskës edhe asaj të BE-së, duke iu referuar marrëdhënieve të dyfishta të Beogradit zyrtar me Rusinë dhe BE-në.

Në një intervistë për CNN, ajo ka folur edhe për njohjen reciproke Kosovë-Serbi.

Osmani u shpreh se sa më shpejt që Serbia t’i thërrasë mendjes, do të jetë aq më mirë për të dyja palët dhe rajonin në përgjithësi.

“Njohja reciproke është hapi kryesor në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe Serbia sa më shpejt që e kupton këtë se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, do të jetë më e mirë për ta, marrëdhëniet tona dhe paqen e stabilitetin afatgjatë në rajon”, ka thënë Osmani.

Osmani ka folur edhe mbi anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ajo ka thënë se kjo nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën, por edhe për sigurinë e rajonit në kohën e agresionit rus në Ukrainë.

“NATO do të jetë më e fuqishme vetëm me vende sikurse Kosova, e cila beson në të njëjta vlera dhe dëshiron të kontribuojë. Kjo është edhe arsyeja pse ne i kemi vendosur menjëherë sanksionet Rusisë pas invazionit në Ukrainë”, ka thënë Osmani. 

 

Të fundit