Flash News

Kosova

Partia e Vuçiç fiton zgjedhjet në Beograd

Partia e Vuçiç fiton zgjedhjet në Beograd

Partia Përparimtare Serbe (SNS), e cila është në pushtet në Serbi, shpalli fitoren në zgjedhjet e përsëritura lokale në Beograd dhe qytete të tjera.

Pas numërimit të më shumë se 92 % të votave, SNS-ja populiste e krahut të djathtë – e mbështetur edhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç – mori 52.85 % të votave në zgjedhjet e së dielës, tha Komisioni Zgjedhor i Qytetit të Beogradit (GIK).

Ky rezultat do t’i japë asaj 64 mandate në asamblenë komunale prej 110 vendesh të kryeqytetit serb, sipas GIK-ut.

Konkurrentja më e afërt e SNS-së, “Kreni-Promeni”, që do të thotë “Lëviz-Ndrysho”, e kryesuar nga Savo Manojlloviç, doli e dyta me 17.61 për qind të votave, apo 21 mandate, tha GIK-u.

Zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi u mbajtën dhjetorin e kaluar, por rezultatet e tyre u kontestuan në 88 qytete, komuna e rrethe, ku u përsëritën më 2 qershor.

Në shumicën e tyre, përfshirë edhe qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sadin, fitoi SNS-ja e Aleksandër Vuçiç.

 

Të fundit