Flash News

Kosova

Pritja shtetërore për 24-vjetorin e çlirimit, Kosova sqaron të vërtetën për “bojkotin” e ambasadorëve të QUINT-it

Pritja shtetërore për 24-vjetorin e  çlirimit, Kosova sqaron

Kosova kremtoi të hënën 24-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Në nder të 12 qershorit, u organizua edhe një pritje shtetërore për korin diplomatikë në Kosovë dhe të ftuar të tjerë.

Por, ajo që u vu re ishte bojkoti që ambasadorët e huaj i bënë pritjes së organizuar nga Kosova. Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it nuk morën pjesë në ceremoninë shtetërore.

Po ashtu, ceremonisë nuk iu bashkua as opozita PDK, LDK dhe AAK.

Të vetmit e pranishëm nga trupa diplomatike ishin vetëm ambasadorët e Zvicrës dhe Austrisë, si dhe komandanti i KFOR-it.

Ndërkaq, lidhur me atë nëse kishte bojkotim të organizimit nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ka reaguar Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Vjosa Osmani.

Kupina ka thënë se të gjitha shtetet e Quint-it kanë pasur përfaqësues në organizimin e përbashkët nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

“Pritja për nder të 12 qershorit ka qenë organizim i përbashkët i Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Në këtë ceremoni nuk ka pasur bojkot të askujt. Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të disa shteteve evropiane dhe aziatike, komandanti i KFOR-it, teksa përfaqësi të tjera diplomatike janë përfaqësuar nga zv.ambasadorë”, tha ai.

Këshilltari për Media i presidentes Vjosa Osmani thotë se nuk është e vërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore.

“Të gjitha shtetet e QUINT-it i kanë pasur përfaqësuesit e tyre në ceremoni. Rrjedhimisht është e pavërtetë se ka pasur bojkot të ceremonisë shtetërore për 12 qershor”, ka deklaruar Kupina.

Të fundit