Flash News

Kosova

Kërcënimi i Vuçiç për luftë, reagon NATO e BE: Politika në Kosovë e Serbi të kontribuojë në stabilitetin e rajonit, mbështesim dialogun

Kërcënimi i Vuçiç për luftë, reagon NATO e BE:

Pas NATO-s, edhe Bashkimi Evropian nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se në të ardhmen mund të ketë një konflikt Kosovë-Serbi njëjtë siç po ndodh në Karabak mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Një paralele e tillë nga Vuçiç është parë si një kërcenim me luftë për rajonin nga Prishtina zyrtare.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, duke folur për Gazeta Express tha se Bashkimi Evropian në mënyrë të vazhdueshme u ka bërë thirrje liderëve politik në Serbi dhe Kosovë që të kontribuojnë në një atmosferë që është në favor të stabilitetit të rajonit.

Edhe zyrtarë të NATO-s nuk pranuan të komentojnë deklaratat e presidentit, të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se si e sheh NATO paralelen që ka tërhequr Vuçiç midis Kosovës dhe Nagorno Karabakut, por nga selia e aleancës ushtarake thanë se “misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit nga Kombet e Bashkuara, për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”.

“Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me ndihmën e BE-së, si zgjidhje të vetme të përhershme politike për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha një zyrtar i NATO-s në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Të fundit