Flash News

Kosova

Sveçla: Shtrirja e sovranitetit në veri demaskon aspiratat e Serbisë për Kosovën

Sveçla: Shtrirja e sovranitetit në veri demaskon aspiratat e

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit kanë nxjerrë në pah ambiciet e Serbisë për të kontrolluar territorin e Kosovës. Në një deklaratë të martën, Sveçla akuzoi pjesëtarët e Listës Serbe për përfshirje në trazirat e vazhdueshme në veri të vendit.

Edhe pse nuk përmendi emra specifikë, ministri tha se disa zyrtarë të Listës Serbe partisë më të madhe të serbëve në Kosovë janë ftuar për marrje në pyetje lidhur me protestat në veri. Deri tani, autoritetet e drejtësisë nuk kanë ngritur asnjë aktakuzë ndaj tyre.

Sipas Sveçlës, mungesa e shtrirjes së plotë të institucioneve vendore në të kaluarën ka krijuar një terren të lirë për veprimtaritë kriminale dhe aktivitetet ilegale në këtë rajon.

Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të një raporti të Institutit për Siguri dhe Reziliencë – PREVENT, që adreson situatën e sigurisë në veri të Kosovës. Raporti pasqyron sulmet e ndodhura në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar dhe në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok në nëntor të këtij viti.

Kosova i ka cilësuar këto sulme si terroriste, duke akuzuar drejtpërdrejt Serbinë për organizimin e tyre. Nga ana tjetër, Beogradi ka mohuar çdo përfshirje.

Sveçla nënvizoi se qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të shtrirë sovranitetin në të gjithë territorin e vendit dhe për të luftuar grupet kriminale që cënojnë stabilitetin dhe rendin kushtetues.

Të fundit