Flash News

Kosova

Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ certifikon 902 kandidatët për deputetë të 21 subjekteve politike

Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ certifikon 902 kandidatët për

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 902 kandidatë për deputetë të 21 subjekteve politike, pjesëmarrës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Kandidatët e certifikuar përfaqësojnë 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat të pavarur. Nga ky numër i përgjithshëm i kandidatëve, 593 janë burra dhe 309 gra.

KQZ po ashtu bëri të ditur se ka miratuar dizajnin e fletëvotimit për votim me postë dhe formulat për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve dhe ekipeve të numërimit në QKN.

Komisioni sqaroi se fletëvotimi i miratuar do të përdoret vetëm për votimin me postë, i cili do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor 2026.

Sipas Rregullores Zgjedhore për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, KQZ do të sigurohet që votuesve të regjistruar për votim me postë, t’u dërgojë përmes postës, ndër tjerash, fletëvotimin.

“Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ mori vendim për miratimin e formulës për përbërjen e Këshillave të Vendvotimeve me Kusht. Sipas formulës së miratuar, KQZ, në ditët në vazhdim, do të emërojë 214 anëtarë të Këshillave të Vendvotimeve me Kusht, të cilët do të nominohen nga subjektet politike. Në ditën e zgjedhjeve, votimi me kusht do të mundësohet në 52 vendvotime, në kuadër të 38 qendrave të votimit”, thuhet në njoftim.

 

Të fundit