Flash News

KRYESORE

Kosovë/ Me moton ”Duam Zgjedhje”, VV nis test-protestën e radhës

Me moton ”Duam Zgjedhje” ka nisur test protesta e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë. Qindra protestues janë mbledhur në shesh dhe strehat përreth në Prishtinë duke kërkuar zgjedhje të reja. Test-protesta po organizohet në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatin për formimin e qeverisë.

Protestuesit dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur në tre sheshe të Prishtinës rreth orës 17:00 për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Sipas mediave kosovare, në test-protestën e sotme pritet të mblidhen 3 mijë e 500 persona deri në 5 mijë protestues.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka përshëndetur nga ballkoni i Qeverisë të gjithë protestuesit që marrin pjesë në protestën e organizuar ditën e sotme nga partia që ai drejton, ndërsa ky gjest i tij është pritur me ovacione nga qytetarët, të cilët brohorisnin “Albin Kurti”.

Më herët, kryeministri në detyrë kishte deklaruar se nuk do të jetë pjesë e kësaj proteste, por ka mbështetur vazhdimisht idenë që qytetarët kanë të drejtë që të protestojnë.

Kjo është test-protesta e dytë e zhvilluar në sheshet e Prishtinës. Protesta e parë u zhvillua në 12 maj, me pjesëmarrjen e përafërsisht 500 personave, të cilët ishin të paisur me maska, doreza dhe zbatonin rregullin e distancës sociale. Për protestën e sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë edhe lejen nga Policia e Kosovës.

Të fundit