Flash News

OP-ED

Kostot Ekonomike të Erdoganit

Kostot Ekonomike të Erdoganit

Timur Kuran/ Dani Rodrik

Modeli politik i Turqisë e ka humbur shkëlqimin, por një krizë diplomatike në rritje me një administratë po kaq kaotike si ajo e Presidentit të SHBA, Donald Trump, e ka shtyrë ekonominë e vendit në një krizë të plotë valutore. Lira turke ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj gjatë 12 muajve të fundit. Dhe, për shkak se bankat dhe firmat turke kanë huazuar shumë në monedhë të huaj, rënia e lirës ka rrezik të marrë me vete pjesën më të madhe të sektorit privat.

Presidenti Erdogan, pasi fitoi zgjedhjet e para, që nga ndryshimi formal i Turqisë nga republikë parlamentar në një sistem presidencial në qershor, tani qeveris vendin si autokrat. Ai mbështetet në ministrat e qeverisë, të zgjedhur më shumë për besnikërinë e tyre (dhe lidhjet familjare me të) sesa për kompetencat e tyre.

Për më shumë se një dekadë, tregjet financiare i dhanë Erdoganit, i cili ishte kryeministër deri në vitin 2014, një pas dhe e furnizuan ekonominë turke me kredi të lehta. Rritja ekonomike u bë e varur nga një rrjedhë e qëndrueshme e kapitalit të huaj për të financuar konsumin e brendshëm dhe investime të buta në strehim, rrugë, ura dhe aeroporte. Ky lloj zgjerimi ekonomik rrallë përfundon mirë. E vetmja pyetje e saktë ishte se kur do të përfundonte.

Cytësi automatik ishte vendimi i administratës Trump për të vendosur sanksione (dhe kërcënimin e më shumë të tillave) për të shtyrë Turqinë që të lironte Andrew Brunson, një pastor evangjelist amerikan me qendër në Izmir, i arrestuar gjatë spastrimeve që pasuan grushtin e dështuar kundër Erdoganit në korrik 2016. Goditja ka përfshirë 80,000 arrestime, 170,000 pushime nga puna, mbylljen e 3,000 shkollave, konvikte dhe universitete, dhe shkarkimi i 4,400 gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këto masa drakoniane u morën nën sundimin emergjent, përgjithësisht me urdhra nga rrethi i Erdoganit. Rezistenca ndaj pezullimit të lirive themelore ka qenë minimale, pasi mediat janë të kontrolluara dhe shoqëria civile është dëmtuar përmes represionit dhe klimës pasuese të frikës. Brunson është vetëm një nga mijëra të akuzuarit për terrorizëm në goditjen pas 2016.

Ashtu si çdo krizë financiare që mundësohet nga politika ekonomike të paqëndrueshme, gjetja e një rrugëdaljeje kërkon receta të menjëhershme ashtu dhe afatmesme. Në afat të shkurtër, ekonomia ka nevojë për masa të rritjes së besimit për të stabilizuar tregjet financiare. Banka qendrore e Turqisë mund të ketë nevojë të rrisë normat e interesit, pavarësisht nga kundërshtimi i thellë i Erdoganit për një veprim të tillë. Një program konkret dhe i besueshëm i forcimit të disiplinës fiskale dhe ristrukturimit të borxhit të sektorit privat është thelbësor. Fondi Monetar Ndërkombëtar duhet të thirret për ndihmë financiare të përkohshme.

Por, këto rregullime afatshkurtra nuk adresojnë brishtësinë afatgjatë të ekonomisë, e cila është e rrënjosur në autokracinë personaliste që Erdogan ka ngritur.

Turqia nuk ka patur kurrë një demokraci të panjollë. Para ngjitjes së Erdoganit në pushtet në 2003, demokracia e saj u ndërpre katër herë nga ndërhyrjet ushtarake. Por kishte kontrolle politike dhe balancime që kufizuan edhe ushtrinë, dhe pushteti ndërroi duart në raste të shumta përmes zgjedhjeve, gjithnjë e më të drejta dhe të lira. Asnjë individ, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte fituar kompetenca të pakontrolluara. Duke u nisur nga një bazë e dobët, instalimi i demokracisë shumëpartiake në vitin 1946, shoqëria civile u zhvillua deri në atë pikë saqë qeveritë këshilloheshin me shoqatat e biznesit, sindikatat, akademikët, shtypin dhe grupet e ndryshme të interesit privat.

Në vitet e tij të hershme, kur ende ndihej i kërcënuar nga ushtria dhe elita sekulariste, Erdogan iu kushtua demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Ai bëri lëshime ndaj pakicës kurde të shtypur gjatë. Liberalët dhe përkrahësit e vendit në Perëndim u mashtruan nga narrativa e "islamit demokratik" të cilën ata ishin të dëshpëruar për të besuar.

Por, megjithëse ai fitoi lëvdata në Perëndim, Erdogani filloi të zhdukte mediat e pavarura përmes gjobave tatimore gjigante. Ai gjithashtu minoi sundimin e ligjit përmes gjyqeve të manipuluara kundër gjeneralëve dhe sekularistëve të tjerë udhëheqës. Shkrirja e Erdoganit në autoritarizëm u përshpejtua pasi ai pridhi marrdhëniet me aleatin e tij, klerikun mysliman të bazuar në SHBA Fethullah Gylen dhe pasuesit e tij, dhe kjo u përshpejtua në mënyrë dramatike pas përpjekjes së grushtit të shtetit.

Me zgjedhjet e qershorit, thotë Erdoğan, "Turqia e Vjetër" i ka hapur rrugën "Turqisë së Re." Në rendin e ri të krijuar nën këtë Republikë të Dytë Turke, çdo sfidë ndaj autoritetit të tij mund të konsiderohet si tradhti.

Erdoğan pretendon kredite për çfarëdo që shkon mirë dhe fajëson forcat e errëta - shpesh komplotistët e huaj pa emër - për dështimet. Lavdërimi i tij, pamja e pagabueshmërisë dhe përfundimisht mbijetesa politike portretizohen si qëllime supreme të Turqisë. Çdo objektiv tjetër, qoftë rritja e produktivitetit, mbajtja e miqve të huaj, përmirësimi i arsimimit, apo shërimi i plagëve shoqërore, merr një vend të pasmë për të forcuar sundimin e tij. Dhe në këmbim të shërbimeve të tij flijuese për kombin turk, ai ka të drejtë të jetë mbi të gjitha ligjet dhe të pasurojë veten dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

Logjika e sistemit të ri politik të Turqisë shkon mbrapsht në "rrethin e drejtësisë" osmane që e ndau popullsinë në masën e taksapaguesve dhe një elitë të vogël të përjashtuar nga taksat e kryesuar nga sulltani i cili ishte i nënshtruar vetëm ndaj Sheriatit (ligji islamik), edhe pse në praktikë ligji ishte përkufizim i tij. "Rrethi i drejtësisë" u shfuqizua zyrtarisht në vitin 1839, me një dekret që çoi në një epokë ristrukturimi. Pothuajse dy shekuj më vonë, Erdogani e ka kthyer Turqinë në një të shkuar të cilën brezat e reformatorëve u përpoqën të lënë pas.

Sistemi i krijuar nga Erdogan nuk lë vend për politikanët ose burokratët kompetentë në krye të ekonomisë. Ata janë mënjanuar për shkak se qëllimet e tyre e kapërcejnë interesin e liderit. Frika parandalon debatin e ndershëm të çështjeve. Biznesmenët, akademikët dhe gazetarët në krye të fushave të tyre kanë mbyllur gojën për të ruajtur kokën. Rrethi i tij është i mbushur me yes men (dhe ndonjë yes-ëoman sa për shenjë), të cilët përpiqen të kënaqin ndjenjën e tij të gjithëdijes dhe madhështisë. Edhe liderët e opozitës në parlamentin e tanishëm të heshtur të Turqisë bëhen ‘cheerleaders’ sa herë që ai sinjalizon se mungesa e mbështetjes do të trajtohet si ndihmë ndaj armikut.

Ashtu si në Rusi dhe Venezuelë, disa disidentë të guximshëm lejohen të ekzistojnë në kufijtë e diskursit publik, për të siguruar një pamje të lirisë. Por ata bëjnë jetë të pasigurt, gjithmonë në rrezik të arrestimit si një paralajmërim për të tjerët që të mbeten brenda kufijve.

Herët a vonë, presionet ekonomike do të detyrojnë Turqinë të miratojë rregullime që do të stabilizojnë monedhën dhe tregjet financiare. Por kjo nuk do të ringjallë investimet afatgjata private, nuk do të sjellë talentin që po largohet nga vendi me shumicë, dhe as do të nxisë një klimë lirie që do të lejojë Turqinë të lulëzojë. Siç kanë dëshmuar Kina dhe vendet e tjera aziatike, disa autokraci mund të përparojnë kur liderët e tyre i japin prioritet politikave inteligjente ekonomike. Por kur ekonomia bëhet thjesht një mjet tjetër për rritjen e fuqisë personale të Presidentit, ekonomia, siç po e shohim, domosdoshmërisht paguan çmimin.

 

*Timur Kurani është Profesor i Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Universitetin Duke. Dani Rodrik është profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare Politike në Shkollën e Qeverisë ‘John F. Kennedy’ të Universitetit të Harvardit. 

**Marrë nga Project Syndicate/ Përkthimi:Politiko.al

Të fundit