Flash News
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Alfred Lela
Është një fjalë e re, një prej atyre që bëjnë vend në ligjërimin publik, sa herë bota përballet me një fenomen të ri, qoftë kjo epidemi, Netflix, Game of Thrones, Tik tok, e me radhë. Fjalori i ri të cilin publikut i është dashur të fusë në punë, duke shpluhurosur edhe ndonjë fjalë të vjetër të përdorur më parë në situata të ngjashme, si për shembull ‘karantinë’, që përdoret që prej Mesjetës së hershme të paktën, është pasuruar me të reja. Si për shembull covidiots, kovidiotët, që, e përkthyer trashë, do të thotë ‘idiotët e Covid-it’, e lidhur kjo me epideminë e koronavirusit.
Kush mund të futet në grupin e ‘idiotëve të Kovid-19’ apo ‘kovidiotëve’?
Preja e parë dhe më e lehtë janë politikanët. Të cilët, kur episodet e zanafillës së një virusi të ri, që më pas u quajt korona, u identifikuan në Kinë, e morën lehtë-lehtë të gjithën. Presidenti amerikan ishte kovidioti i parë ndër udhëheqësit (një rrezik për qytetërimin e pat quajtur KM-ja ynë largpamës). Duke ndjekur më shumë instinktin politik se sa informacionin shkencor, edhe pse kishte përkrah apo mud të listonte këshillat e mendjeve më të shkëlqyera të botës, zgjodhi të luajë cowboy-in në vend të shtetarit. U deshën javë që të pranonte se Amerika mund të përfshihej në valën e epidemisë (tani është në mes të saj) dhe mori masa gjysmake ose i shpërfilli. E vetmja lëvizje kufizuese ishte mbyllja e aeroporteve për të huajt, duke lejuar që të fluturonin drejt Amerikës vetëm nënshtetasit dhe rezidentët, port e kjo mund të ndahemi: ishte shumë anti-virus apo pjesë e forcimit të politikës së preferuar izolacioniste.
Trump ka ndërruar pllakë: së fundmi ka kredituar veten për marrje të masave, shpejt dhe herët, edhe pse dy ditët e fundit ka bërë dy tweet-e me kërcënimin e pushimit nga puna të Anthony Fauci-t që drejton operacion anti-Covid.
Në miniaturë, sjellje deri-diku të ngjashme ka shfaqur edhe kryeministri shqiptar. Ai rezistoi dy javët e para dhe i konsideroi si përhapës paniku gazetarët. Kur e kuptoi se Italia po rrëshqiste drejt krizës pandemike, mori masa drakoniane duke shkuar në shpërpjestim kolosal me qëndrimet e fillimit. Tani thotë se vetëm prej masave të marra prej tij Shqipëria ka shpëtuar pa numëruar mijra të vdekur, a thua se kronologjia dhe kujtesa janë sa për të thënë. Nuk i kujton as ata që i kërkonin kujdes në fillim dhe as kryetarin e opozitës që i kërkoi me ngulm shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore (këtë të fundit ai po e përdor si mburojë ligjore për të bërë ndryshime staliniane në Kodin penal).
Te kovidiotët futen edhe ata njerëz publikë që kanë bërë thirrje për mosbindje, për të marrë çantat e dalë në pazar, si mosdakordësim me Ramën. A thua se shëndeti i tyre dhe i të tjerëve lidhet me rezistencën politike. Janë dy gjëra të ndara. Nëse Rama po e përdor pandeminë për të shmangur kundërshtarët (gjë që po e bën-shihni studiot televizive të mbushura deri në gërdi me vartës të tij dhe nëpunës të shtetit), oponentët e tij nuk mund të përdorin lirinë (edhe atë për të mbrojtur shëndetin) për t’i bërë karshillëk kryeministrit me shëndetin e vet dhe të të tjerëve.
Shkon kundër oponencës dhe logjikës së shëndetshme dhe, në këtë rast kundër shëndetit.
Kovidotët e tretë në radhë janë ata ndër qytetarët, apo nënshtetasit e Republikës, që vazhdojnë të tregojnë mungesën e zakonshme të kujdesit ndaj jetës. Të mos ketë dyshime se janë po ata: ata që bënin parakalimet e rrezikshme në autostradë; ata që hidheshin në mes të makinave, nga një anë në tjetrën, në rrugën Tiranë-Durrës; ata që shkelnin vijat e bardha dhe semaforët e kuq; që hidhnin plehrat nga dritarja e shtëpisë apo e makinës në rrugë. Karantina dhe as shtetrrethmi nuk i ka zbutur: nëse keni parë një abuzim ka qenë një prej tyre.
Kovidiotët e grupit të katërt janë laudatorët vend e pavend të mjekëve dhe infermierëve. Doemos, ata kanë pjesën e tyre në gjithë këtë betejë, por shproporcioni, teprimi me parulla, lëvdata, hashtage, zemra, nuk e fsheh një të vërtetë të përkufizuar nga numrat. Sistemi ynë shëndetësor ka trajtuar më pak se 500 vetë gjithsej. Nuk jemi (dhe mos qofshim!) në rastin e numrave dërrmues si të Italisë, Spanjës, Amerikës etj. Të kujtojmë se këta 500 vetë nuk kanë qenë në të njëjtën kohë në pavionet e spitaleve: kanë hyrë, janë shtruar, janë shëruar një pjesë, disa kanë vdekur.
Kaq për kovidiotët. Ata do të vazhdojnë të jenë. Desha vetëm të them se ashtu si virusit, ua di praninë dhe u druhem.