KQZ rinumëron 11 kutitë në Lezhë, Spiropali: Në 30 qershor shqiptarët zgjodhën të ardhmen

Ministrja e Shtetit dhe Parlamentit, Elisa Spiropali  e ka cilësuar një proces të rregullt zgjedhjet e zhvilluara në 30 qershor për bashkinë e Lezhës.

Spiropali mbajti një deklaratë për mediat pasi KQZ rinumëroi 11 kutitë e votimit të kërkuara nga kandidati i Partisë Konservatore, Eduart Ndocaj, ku si rezultat dolën vetëm 3 vota të ngatërruara.

Sipas zëdhënëses së qeverisë, zgjedhjet konsiderohen ilegjitime nga PD kur Lulzim Basha i humbet ato.

“Zgjedhjet kur Basha humbet nuk mund të konsiderohen kurrsesi legjitime, por sot ata morën goditje përfundimtare. Prova më e mirë është rinumërimi i kutive në 11 qendra votimi në Lezhë. Kutitë u hapën pas ankesave dhe treguan se nuk ka pasur parregullsi.  Në 10 kuti janë të njëjtat vota si, vetëm në njërën prej tyre ka 3 të ngatërruara, por asnjëra prej tyre nuk i ka shkuar kandidatit të PS. Ka pasur një ngatërrim mes Ndocajt dhe kandidatit tjetër Kacaj. Rezultatet koordinojnë në mënyrë perfekte me ato të deklaruara në KQZ. Zgjedhjet e30 qershorit ishin ndarje e qartë nga e shkuara, pavarësisht bojkotit e kërcënimet e opozitës, shqiptarët refuzuan mesazhin e dhunës, duke zgjedhur të ardhmen”, tha Spiropali.