Flash News

KRYESORE

Kritikoi Erdoganin, arrestohet shkrimtari turko-gjerman Dogan Akhanli

Kritikoi Erdoganin, arrestohet shkrimtari turko-gjerman Dogan Akhanli

Shkrimtari turko-gjerman Dogan Akhanli, një kritik i njohur i presidentit Erdogan është arrestuar në Spanjë me kërkesë të autoriteteve turke. Nuk është ende i qartë motivi për arrestimin, por zyrtarët gjermanë thonë se kjo është një lëvizje e nxitur politikisht, që tregon shtrirjen e pushtetit të Erdogan edhe përtej Turqisë.

Një shkrimtar turko-gjerman, kritik i njohur i presidentit Recep Tayyip Erdogan është arrestuar në Spanjë. Dogan Akhanli, i cili ka shkruar gjerësisht mbi të drejtat e njeriut në Turqi, u arrestua me kërkesë të autoriteteve turke në qytetin e Granada-s.

Deputeti gjerman nga Partia e Gjelbër, Volker Beck, e konsideroi këtë lëvizje si të nxitur politikisht dhe kërkoi që zoti Akhanli të mos ekstradohet në Turqi. Sipas tij, kjo tregon se presidenti Erdogan është i gatshëm ta zgjerojë pushtetin edhe përtej kufinjve të vendit të Turqisë, për të ndjekur kritikët e tij përqark botës. Është ende i paqartë motivi për arrestimin e shkrimtarit.

Që prej grushtit të dështuar të shtetit korrikun e kaluar, dhjetëra mijëra persona në Turqi janë arrestuar – përfshi zyrtarë, akademikë dhe gazetarë. Të gjithë portalet mediatike opozitare janë mbyllur. Ndërkaq, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë janë në momente të vështira.

Berlini zyrtar akuzoi Erdogan për ndërhyrje pasi ky i fundit bëri thirrje që votuesit turq në Gjermani të mos votonin për partitë kryesore të vendit. Marrëdhëniet u tensionuan në mars, pasi Erdogan akuzoi zyrtarët gjermanë se po vepronin si nazistë me anulimin e tubimeve në vend përpara referendumit që i dha presidentit fuqi më të mëdha. Por pavarësisht tensioneve, të dy vendet mbeten partnerë madhorë në tregti dhe aleatë në NATO.

Të fundit