Kriza/ Caktohet tryeza gjithëpërfshirëse për Reformën Zgjedhore, ftesë edhe PD

Ashtu siç paralajmëroi kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla pak ditë më parë për mediat, pritet që në ditët në vijim të organizohet tryeza gjithëpërfshirëse për Reformën Zgjedhore.

Sipas ‘news 24’, tryeza, e organizuar nga prezenca e OSBE në Tiranë, ka ftuar parti parlamentare dhe ato jashtëparlamentare.

Po ashtu, një ftesë për pjesëmarrje i është drejtuar edhe Partisë Demokratike dhe partive opozitare, për të marrë pjesë në diskutimin për Reformën Zgjedhore.

Se si do t’i përgjigjet PD dhe partitë opozitare kësaj ftese, kjo mbetet për t’u parë në vijim.

Pak ditë më parë, në një intervistë për DË, ambasadori i BE, Luigi Soreca sugjeroi reformën zgjedhore si shtysë për të nisur dialogun me opozitën jashtë parlamentit, të cilën e quajti ” diçka specifike”.

“Partitë e vogla opozitare jashtë parlamentit përfshirë edhe LSI kanë dhënë sinjale, se edhe mund të ulen në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore. Por Partia Demokratike, që kryeson këtë opozitë, nuk jep asnjë shenjë gatishmërie për të filluar dialogun me qeverinë dhe maxhorancën socialiste për këtë reformë”, tha Soreca.

Reforma Zgjedhore edhe pa PD? Balla: Javës që vjen të gjitha partitë në një tryezë të përbashkët