Flash News

KRYESORE

Kriza i detyron shqiptarët të rikthehen te “Gabi”, rriten me 13% importet e veshjeve të përdorura

Kriza i detyron shqiptarët të rikthehen te “Gabi”, rriten

Një biznes, që po rinjeh lulëzim, në një periudhë që konsumi mbetet i tkurrur, është i ashtuquajturi “Gabi”.  Sipas të dhënave zyrtare, tregtia e rrobave të përdorura po njeh një zgjerim të vazhdueshëm që nga 2012, duke arritur nivelet rekord vitin e kaluar.

Për 2016-ën, sipas të dhënave nga INSTAT vlera e importeve të veshjeve të përdorura është rreth 2.8 miliardë lekë, apo rreth 20 milionë euro, me një rritje prej 13%  krahasuar me një vit më parë, raporton ‘Monitor’.

Treguesit pohojnë se marzhi i qarkullimit të veshjeve të përdorura është tepër i lartë, duke bërë që tregu i pakicës të jetë minimalisht tre-katër herë më i lartë se vlera e  mallit që hyn në doganë, çka bën që tregu i pakicës së gabit të arrijë në 60-80 milionë euro në vit.

Një tjetër biznes që po shënon rritje është edhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera, sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.

Sipas të dhënave nga INSTAT rreth 50% e tyre vijnë nga shteti fqinj Italia, por edhe nga vende të tjera si Kina, Gjermania dhe Turqia.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “Gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.

Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar pas vitit 2012, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum.

Të fundit