Flash News
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Red Varaku
Shqipëria ndodhet në një krizë permanente, që prej zgjedhjeve politike të vitit 2017. Në fakt, është një krizë që i tejkalon nevojat ekonomike dhe lidhet drejtpërdrejt me ekzistencën dhe aspiratat tona kombëtare si popull. Është një krizë që ka vënë seriozisht në dyshim sistemin, ndaj ka nevojë për një reflektim kombëtar dhe, më pas, një marrëveshje kombëtare. Është një situatë që duket sikur do të rrëzojë, jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë strukturën që mban në këmbë sistemin. Të gjithë e kuptojnë që ky është një zemërim kundër një status quo-je ekonomike, sociale dhe politike që shqiptarët nuk e tolerojnë dot më.
Kjo pakënaqësi i ka rrënjët shumë të thella. Ajo nuk është sipërfaqësore dhe e komanduar, siç përpiqet që ta paraqesë Kryeministri. Gjendja e ekonomike e shqiptarëve është alarmante. Varfëria po rritet me hapa galopante, po ashtu edhe numri i njerëzve që jetojnë nën minimumin jetik. Shteti shqiptar, i cili me Ramën është bërë shumë burokratik dhe i korruptuar, nuk arrin t’i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.
Rama, për shkak të delirit të madhështisë, nuk po arrin ta kuptojë këtë pakënaqësi, ndaj zgjedh ta injorojë. Kjo Shqipëri, larg luksit të Tiranës, është gati të shpërthejë dhe situata të përshkallëzohet në veprime të dhunshme. Është një miks proteste, revolte dhe vandalizmi, që e ka çuar vendin drejt kaosit dhe qeverinë drejt kapitullimit.
Partia Demokratike e ka lexuar këtë shqetësim dhe prej 16 shkurtit po bën një interpretim të sajin të kësaj krize. Ajo e ka marrë vendimin e saj për të dalë nga sistemi dhe për të mos qenë thjesht fasadë. Është një vendim ekstrem dhe i fortë, por sidoqoftë është brenda suazave demokratike. Është një vendim që nuk ka kthim prapa. Djegia e mandateve, qeveria tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme, janë pjesë e strategjisë dhe ofertës së një force politike të përgjegjshme, për të dalë nga kriza. Është e qartë, që nuk është Partia Demokratike shkaktare e kësaj krize, por është korrupsioni kapilar, që ka kapur sistemin. Këtë krizë e dëshmojnë skandalet e panumërta dhe të përditshme të qeverisë, të cilat e ushqejnë zemërimin e shqiptarëve.
Nga ana tjetër Rama, jo vetëm që nuk ka një interpretim ose një zgjidhje për krizën, por ai shkon deri aty sa e mohon ekzistencën e saj. Ai sillet sikur është në opozitë dhe nuk pranon asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar, a thua se nuk ka gjashtë vjet që është në krye të ekzekutivit. Me papërgjegjshmërinë që e karakterizon, ai ka vendosur ta injorojë krizën dhe të vazhdojë më sukseset imagjinare të 'Shqipërisë që duam'. Sigurisht, që vendimi për të injoruar realitetin do të ketë pasoja për vendin. Nëse ai vazhdon të sillet sikur në Shqipëri gjithçka është normale, dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, atëherë kjo nuk do të dëmtojë vetëm Ramën dhe Partine Socialiste, por do të dëmtojë popullin shqiptar. Ky qëndrim, jo vetëm që nuk i jep zgjidhje krizës, por do të dëmtojë rëndë shqiptarët dhe do t’i lërë ata pa qeverisje, sepse Rama aktualisht nuk po qeveris dhe shqiptarët nuk e kanë këtë luks, aq më tepër kur bëhet fjalë për një moment historik dhe shumë të rëndësishëm,hapjen e negociatave dhe antarësimin në Bashkimin Evropian.
Jemi përballë një situate që nuk mund të zgjidhet dot më nga kjo qeveri. Sistemi është totalisht i paralizuar përballë një populli që tashmë e ka kuptuar fuqinë dhe forcën e tij edhe duket nuk do të tolerojë më asgjë.
Rama sa vjen edhe po bëhet më i dobët. Sipas sondazhit të IPR Marketing të publikuar nga Ora Neës, ai nuk është më një kryeministër legjitim në sytë e shumicës. Ai po paguan për blerjen masive të votave, vjedhjet dhe kriminalizimin që i bëri shtetit shqiptar. Ai po tregon që është i paaftë të kuptojë realitetin e shoqërisë shqiptare. Ai nuk e ka më nën kontroll territorin. Është kthyer në një njeri të urryer edhe për vetë socialistët. Ai konsiderohet shkaktari kryesor i kësaj krize dhe njeriu kryesor që po pengon Shqipërinë drejt integrimit Evropian. Ai duhet të largohet dhe t’i lërë vendin një qeverie tranzitore, e cila më pas do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ai duhet t’i hapë rrugë vullnetit të shqiptarëve para se të jetë shumë vonë përndryshe, me gjithë përpjekjet e Bashës për ta mbajtur nën kontroll zemërimin e njerërzve, ata mund të derdhen rrugëve dhe shesheve dhe ta përmbysin me dhunë. Vendimi popullor është afër dhe do t’i godasë pa mëshirë nëse nuk heqin dorë nga dhuna, shantazhet dhe represioni policor, që po demostrojnë këto ditë të shenjta. Janë ditë historike që me ç’duket do të futen në historinë e Shqipërisë si ditët që i dhanë fund tranzicionit të gjatë shqiptar.