Flash News

KRYESORE

“Kriza e mishit në komunizëm, në Elbasan janë ngrënë qen e mace”

Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar fakte të tmerrshme sa i përket tollonave të ushqimeve që shpërndaheshin në kohën e diktaturës komuniste.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Dervishi thotë se produkte si sheqeri, sapuni, vajguri dhe madje edhe kripa ishin tejet të racionuara.

Studiuesi shkon edhe më tej kur thotë se nga nevoja për mish, në vitin 1985 në Elbasan janë ngrënë edhe qen e mace.

Postimi i plotë i Kastriot Dervishit

Tolloni i kategorisë "F"

Siç edhe dihet, regjimi komunist i fukarallëkut, urisë dhe mizerjes, me triska e nisi dhe me triska e bitisi sundimin e tij. Asnjë blerës nuk mund të siguronte mallin pa paraqitur tollonin, të cilën e merrte në këshillin popullor të lagjes pasi ishte hetuar mirë e mirë e kaluara e tij.

Kjo është triska e kategorisë "F", për ata që punonin në fshat, por jo për fshatarët e kooperativave, të cilët nuk e gëzonin të drejtën e tollonit. Siç edhe mund të shihet, sheqeri, sapuni, vajguri dhe madje edhe kripa ishin tejet të racionuara. Nga mungesa e sapunit, shqiptarët kishin edhe probleme higjiene.

Një familje fshatari merrte në atë kohë 2 kg mish në vit, një rekord historik ky që nuk ka pushtues që ia ka vendosur shqiptarit.

Kur regjimi hyri në fazën e fundit të lajthitjes së tij që e çoi në shkërmoqje ishin të racionuara dhe me tollon: mishi, sallami, djathi, veza, orizi, fasulja, kafeja, veza, etj. Për qumështin e kosin nuk paraqitej tollon, pasi tregu nuk furnizohej rregullisht.

Tolloni jepej për një muaj. Zakonisht në rastin më të mirë, një familje me 4 persona merrte 2 kg mish, 30 kokrra vezë dhe 2 kg djathë.

"Njeriu i ri" i socializmit u shpërfytyrua aq shumë saqë në vitin 1985 nga nevoja për mish, p.sh. në Elbasan janë ngrënë edhe qen e mace. As në kushte lufte e urie shqiptari nuk ka ngrënë qen e mace.

Të fundit