Kriza për kalimin e kufirit me Greqinë, pse u dyndën shqiptarët në radhë kilometrike mes pandemisë dhe vapës   

Prej 4 ditësh, mijëra shqiptarë u bllokuan në vijën kufitare të Kakavijës, në tentativë për të kaluar në tokën greke.

Gra, fëmijë, të moshuar apo edhe të sëmurë kanë qëndruar me orë e ditë tëra në automjete, nën temperaturat e larta të gushtit që jo pak herë i ka kaluar edhe 40 gradë celsius, mungesës së ujit e ushqimeve dhe kushteve higjienike.

Madje, media raportoi edhe raste ku persona të grupmoshave të ndryshëm kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe gjendje të fikëti.

Situata sa ka ardhur e është përkeqësuar, duke u krijuar radhë kilometrike fillimisht në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa të shtunën gjendja u përshkallëzua edhe në Kapshticë.

Por, cilat janë arsyet që shqiptarët u dyndën drejt territorit grek dhe u krijua një situatë e tillë kaotike e pashënuar më parë. Në fakt, janë disa arsyet që po rendisim si më poshtë:

Një situatë e tillë e pazakontë është krijuar për shkak se Greqia ka kushtëzuar të gjithë personat që duan të hyjnë në territorin helen që t’i nënshtrohen tamponit për covid-19.

Madje, vlen për t’u theksuar se tamponi kryhet falas për personat ata kategori që lejohen të hyjnë.

Një tjetër arsye e fortë e dyndjes lidhet me vendimin e paralajmëruar nga shteti grek, se në 16 gusht (e diel) hyn në fuqi rregulli i ri i karantinimit për 7 ditë të personave që hyjnë në Greqi, ndaj shumë prej tyre kanë marrë rrugën para kësaj date duke krijuar një fluks të pa ndodhur më parë.

Arsye tjetër e radhëve të gjata është se pala greke gjatë natës nuk është funksionale. Greqia vendosi mbylljen e dy pikave të kalimit kufitar, Kakavijës dhe Kapshticës gjatë natës.

Nga ora 22 deri në 6 te mëngjesit në këto dy pika nuk kanë punuar dhe janë lejuar të kalojnë vetëm persona që janë shtetas grekë, ata shqiptarë apo të huaj me leje qëndrimi dhe minoritarët me kartën përkatëse.

Po ashtu, numri i mjekëve që janë angazhuar për kryerjen e tamponëve ka qenë i limituar, ndërsa numri i automjeteve pavarësisht fluksit, ka ardhur duke u shtruar.

Po ashtu, shumë prej tyre erdhën në Shqipëri vetëm për aplikime dokumentesh identifikimi apo pasaporta dhe janë rikthyer sërish në Greqi, për të mos humbur vendet e punës.

Drama kthehet në tragjedi

Sikur të mos mjaftonte kaosi i krijuar prej katër ditësh në mes të vapës dhe pandemisë, mëngjesi i së shtunës regjistroi edhe një tragjedi mes radhëve kilometrike të emigrantëve.

Një fëmijë 10-vjeçar nga Lezha u përplas për vdekje nga një autoambulancë, teksa kjo e fundit po transportonte një grua të sëmurë.

Policia reagoi zyrtarisht, duke sqaruar se ambulanca ka qenë me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit, ndërsa i mituri mësohet se kishte dy ditë që priste me familjen për të kaluar në Greqi.

Politika dhe autoritetet përballë krizës humanitare

Sot, pas katër ditësh reagoi për herë të parë kryeministri Edi Rama. Fillimisht, ai tha se autoritetet shqiptare janë në bisedime të vazhdueshme me palën greke për lehtësimin për lehtësimin e procedurave.

Më pas, kryeministri del me një tjetër reagim ku justifikohet duke thënë se procedura të tilla nga Greqia janë njësoj për disa shtete të tjera të botës dhe janë të vlefshme edhe për vetë grekët, ndërsa e cilëson të pakuptimtë kushtin e Greqisë për tamponin në kufi.

Unë nuk e di çfarë kuptimi ka vendosja e detyruar e tamponimit të çdo individi që hyn në një shtet të caktuar, sepse të gjithë e dimë që tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet. Ashtu sikundër, e kemi parë edhe që jo gjithnjë tamponi e zbulon infeksionin me Covid19. Por kështu e ka vendosur Greqia dhe jo vetëm Greqia po edhe plot shtete të tjera, ndërkohë që të tjera shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, nuk e kanë këtë rregull”, tha Rama ndër të tjera.

Edhe opozita komentoi situatën e krijuar në kufirin me Greqinë. Sipas PD, situata e krijuar në pikat kufitare me shtetin grek është e pafalshme dhe akuzon qeverinë se lejoi krijimin e radhëve të gjata, dhe nuk informoi qytetarët në kohë.

Ndërsa policia greke njoftoi kufizim të numrit të personave që kalojnë kufirin nga nesër, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi se policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtatshëm.

Kjo masë sipas Lleshajt do të merret për normalizimin e gjendjes në Kakavijë dhe Kapshticë, ku gjendja vijon kaotike prej 4 ditësh.