Flash News

OP-ED

Kriza politike është krizë e asaj që përfaqësojnë Rama dhe Basha

Kriza politike është krizë e asaj që

Fitim Zekthi

Që prej shkurtit të këtij viti politika në Shqipëri ka hyrë në një fazë tjetër. Partia Demokratike dhe gjithë opozita parlamentare dorëzuan mandatet e deputetëve dhe kanë nisur një përpjekje pa kthim për të mos hyrë më në zgjedhje me një qeveri të drejtuar nga kryeministri Rama. Vendim i para pak ditëve i Këshillit Kombëtar të PD-së për të mos hyrë në zgjedhjet lokale me këtë kryeministër e formalizoi plotësisht qëndrimin e opozitës.

Kjo duhet të jetë forma më e ashpër demokratike (nuk ka asgjë kundër ligjit, kushtetutës dhe të drejtës) e një veprimi të opozitës e dëgjuar ndonjëherë. Braktisje mandatesh, protesta dhe mosfutje në zgjedhje pa u larguar kryeministri.

Partia Socialialiste, njerëz të saj në shtyp, një pjesë e rëndësishme e komunitetit ndërkombëtar kanë thënë se veprimi i opozitës është i dënueshëm, se ajo duhet të qëndrojë në Kuvend dhe të marrë pjesë në zgjedhje, të vazhdojë dialogun, luftën parlamentare etj.

Kryeministri Rama, anëtarë të qeverisë dhe njerëz të tij në shtyp kanë thënë  se ky veprim i opozitës bëhet ngaqë ajo është e dobët, ngaqë ajo nuk fiton dot etj. Kryeministri dhe njerëzit e tij kanë sulmuar kryetarin e PD-së se po bën veprime që dëmtojnë Shqipërinë për të gjetur alibi për dobësinë dhe humbjen e vet. Të gjithë këta zëra kanë thënë se zgjedhjet duhet të mbahen dhe do të mbahen edhe në mënyrë të njëanshme.

Do të ishte gjithçka saktësisht siç thotë kryeministri, njerëzit e tij  në media apo ambasadorë, zëdhënës dhe deputetë  të parlamentit europian, sikur Shqipëria të ishte vend demokratik, sikur Shqipëria të garantonte një ndarje minimale pushtetesh dhe një funksionim minimal të ligjit dhe të shtetit të së drejtës. Do të ishte siç thotë kryeministri dhe të gjithë kritikët e PD-së, sikur jeta politike në Shqipëri të dominohej nga debati mes kundërshtarëve, sikur gjithë lufta e egër politike, (edhe do ishte shumë herë më e egër nëqoftëse mund të jetë edhe më shumë), të ishte një luftë mes kundërshtarësh ku ka rregulla, ku vendosin institucionet që janë legjitimuar nga ligji për të vendosur. Në një situatë të tillë djegia e mandateve dhe mosfutja në zgjedhje do të ishte vërtet pafuqi e opozitës, gjetje e alibisë, dëm ndaj vendit etj.

Çështja është se vendi gjendet në një situatë krejtësisht tjetër. Nëqoftëse do të sillemi ndaj opozitës, ndaj sjelljes, vendimeve dhe qëndrimit të saj sikur të ishim në një demokraci, sikur të ishim një vend  ku funksionojnë  rregullat, ku vendimet merren nga institucione të ngarkuara nga ligji dhe jo entitete të tjera,  atëherë do të ishim nxitës të thellimit të krizës dhe nxitës të rrënimit edhe më të vendit.

Një demokraci nuk funksion kurrë nëqoftëse nuk kuptohet dallimi mes ‘kundërshtar’ dhe ‘armik’ dhe nëse në vend të kundërshtarëve ka armiq. Michael Ignatieff, një akademik kanadez që është marrë edhe me politikë, thotë se dallimi mes kësaj dikotomie është tërë thelbi i demokracisë. Kundërshtari është dikush  të cilin t’i kërkon ta mundësh. Armiku është dikush të cilin ti kërkon ta shkatërrosh. Mes kundërshtarësh bëhet kompromis dhe gjërat ecin përmes tij. Me armikun bëhet thjesht marrëveshje për paqe, për pajtim, për të ndalur agresionin. Në dallim nga armiqtë mes kundërshtrarëve mund të kihet besim. Kundërshtarët ndeshen  mes tyre, edhe në luftë të egër (politike), dhe ai që humb e pranon rezultatin. Kjo gjë ndodh përmes betejës me rregulla të pranuara dhe respektuara nga të dy kundërshtarët. Mes armiqve nuk ka besim kurrë. Armiku nuk luan me rregulla, dhe kur përdor ndonjë rregull, thotë Ignatieff,  ai e bën këtë që ta përdorë atë si mjet në funksion të qëllimit dhe kur fiton ai i rishkruan rregullat vetë në mënyrë që të mos humbë  më asnjëherë.

Sot kryeministri Rama nuk është një kundërshtar i kryetarit të PD-së Basha. Rama sot sillet dhe vepron si armik i Bashës dhe i PD-së. Me Ramën nuk mund të ketë asnjë kompromis. Dy vite më parë Basha nënshkroi një marrëveshje me të. Basha e trajtoi atë si një kundërshtar me të cilin bëhen kompromise, me të cilin bëhet betejë sipas rregullave dhe ku pas betejës pranohen rezultatet. Në fakt, ajo që ndodhi ishte diçka krejt tjetër. Rama u soll si armik. Nuk i respektoi rregullat, ai në të vërtetë nuk kishte bërë kompromis. Kjo u pa më pas. Rama, duke u sjellë si armik, kishte bërë një marrëveshje paqeje të përkohshme në mënyrë që të fitonte. Siç thotë Ignatieff, ai kishte respektuar formalisht disa rregulla duke i përdorur ato si mjet me qëllim që të fitonte dhe më pas të mund të përdorte fitoren për të rishkruar rregulla në mënyrë që të mos humbë asnjëherë.

Bernard Crick, një politolog shumë i njohur thotë se në momentin që nuk mund të bëhet kompromis vdes politika. Politika ka të bëjë me njohjen e kufizimeve të tua, me pranimin e interesit të të tjerëve, me pranimin e nevojës për kompromis për të gjetur zgjidhjen dhe kur njëra nga palët nuk sillet si kundërshtar, por si armik atëherë kemi hyrë në antipolitikë.

Sot Rama përfaqëson antipolitikën. Pas kompromisit të Bashës me të në vitin 2017, kompromis i cili, për Ramën ishte thjesht një marrëveshje paqeje e përkohshme, Rama përdori mjete jashtë rregullave për të fituar zgjedhjet. Kanë dalë prova empirike ku janë përfshirë njerëz të botës së krimit në bashkëpunim me drejtues të PS-së në blerje votash.

Veç provave empirike ka edhe prova të tjera. Shqipëria është i vetmi vend në botë (së bashku me Maqedoninë e Gruevskit në vitin 2014) me sistem zgjedhor proporcional  që në 20 vitet e fundit ka mundur të ketë qeveri të një partie (pa koalicion). Bingam Poëell i Universitetit të Yale-it ka parë 150 palë zgjedhje në vende me sisteme proporcionale dhe në 148 raste ka patur qeveri koalicioni. Vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Gruevskit kanë njohur qeveri nga një parti. Sigurisht që janë manipuluar zgjedhjet edhe nga Rama, edhe nga Gruevski. Sistemi proporcional nuk prodhon qeveri të një partie.

Fakti që përfaqëson antipolitikën dëshmohet edhe nga shkatërrimi i ndarjes së pushteteve, i zhbërjes së Gjykatës Kushteteuse dhe të  Lartë, i emërimit të prokurores së Përgjithshme në mënyrën si emërohet një ministër, i dyshimeve për lidhje me trafikun e drogës të zyrtarëve dhe qeveritarëve të lartë, i “zgjidhjes së halleve të popullit” live në televizion me platformën për bashkëqeverisje, i njohjes si opozitë e një grupi njerëzish që kanë hyrë në Kuvend të pavetëdijshëm për atë që janë, etj.

Në këto kushte zgjidhja e vetme është shndërrimi i dikotomisë armik-kundërshtar që përfaqësohet nga Rama-Basha në një dikotimi kundërshtar – kundërshtar, e cila kërkon domosdo zëvendësimin e Ramës. Rama nuk mund të jetë, nuk ka kapacitet të jetë kundërshtar. Rama di dhe mund të jetë vetëm armik.

Demokracitë nuk jetojnë dot në dikotomitë armik-armik apo armik-kundërshtar, por vetëm në kushtet kundërshtar.

Të fundit