Kriza politike/ Në Itali kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë së tyre: Të dëgjohet zëri i opozitës shqiptare

Kriza politikë në Shqipëri po ndiqet me interes të veçantë edhe nga fqinjët tanë përtej Adriatikut, Italia. Lucio Malan, zv/kryetar i grupit të senatorëve të Forza Italia i ka bërë apel përfaqësuesve të qeverisë se vendit të tij që të ndërhyjnë për të ndaluar kryeministrin Edi Rama të shkarkojë presidentin Ilir Meta.

Malan kujton se ngërçi politik ka arritur deri në atë pikë sa detyroi kreun e opozitës, Lulzim Bashës të djegë mandatet e deputetëve në shenjë protestë ndaj Edi Ramës.

“Shpresoj që Qeveria (italiane) të interesohet për gjendjen në këtë vend kaq pranë nesh, ku ndodhen tashmë edhe mjaft sipërmarrës italianë, të cilëve u nevojitet, para së gjithash, ligjshmëria”, apelon ai.

Komunikatë për shtyp e Malan: Qeveria e Italisë të merret me krizën e rëndë

Kriza e rëndë institucionale në Shqipëri, që vijon prej muajsh, arriti sot një nivel veçanërisht kritik. Kryeministri Edi Rama po kërkon të largojë nga posti Presidentin e Republikës, fajtor vetëm se ka kërkuar të ndërmjetësojë lidhur me datën e zgjedhjeve lokale, në të cilat partitë e opozitës kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë, për shkak se, pas parregullsive të shumta, të vërejtura në zgjedhjet e 2017-s, nuk është regjistruar kurrfarë përmirësimi.

Kriza ka mbërritur një nivel aq kritik sa lideri i Partisë Demokratike (anëtare e Partive Popullore Evropiane) Lulzim Basha, ka dorëzuar në shenjë proteste mandatin e deputetit, së bashku me të gjithë kolegët e partisë së tij. Prej vitesh, Basha e akuzon Ramën për lidhjet e tij me bosët e drogës, të cilët e eksportojnë atë kryesisht në Itali, çka ka sjellë edhe interesimin e mjaft magjistratëve italianë.

Shpresoj që Qeveria (italiane) të interesohet për gjendjen në këtë vend kaq pranë nesh, ku ndodhen tashmë edhe mjaft sipërmarrës italianë, të cilëve u nevojitet, para së gjithash, ligjshmëria.