Kriza politike në Kosovë nuk ka zgjidhje kushtetuese, një zgjidhje e mundshme mund të vijë vetëm nga Presidenti

Kriza politike që ka përfshirë Kosovën me moskonstituimin e Kuvendit, nuk ka një zgjidhje kushtetuese. Njohësit e situatës politike në vend thonë se zgjidhja mund të vijë nga presidenca, e në rast se kjo dështon, atëherë vendi mund t’i drejtohet zgjedhjeve të reja parlamentare. Sakaq, nuk ka ende një datë për seancën e ardhshme konstituive të Kuvendit.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk parashikon asnjë zgjidhje për krizën politike që ka kapluar vendin me moskonstituimin e Kuvendit.  Pas gjashtë përpjekjesh, deputetët ende nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, kjo pasi kandidati i propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve, PAN, nuk gëzon shumicën e votave të deputetëve.

Profesor i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se në Kushtetutë nuk ekziston një dispozitë që parashikon afatet kohore për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

“Është mangësi serioze e Kushtetutës që nuk e ka paraparë një situatë të tillë, për arsye se kushtetutëbërësi ka menduar se nuk do të vijë deri te situatat e tilla, ngërçet e tilla, mosshfrytëzimi i autorizimeve të tilla. Kjo për arsyen se vet posti i kryetarit të Kuvendit nuk është ndonjë post i rëndësishëm dhe vendimmarrës, në kuptimin e ekzekutivit. Ai konsiderohet si një post koordinues i operacioneve më tepër teknike dhe operative, bashkë me kryesinë dhe nënkryetarët e Kuvendit.”

Sipas profesor Baraliut, një zgjidhje e mundshme mund të vijë nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili me Kushtetutë, ka kompetencën dhe detyrimin që të kujdeset për funksionimin kushtetues të institucioneve vendore. Në rast se Presidenca dhe partitë nuk arrijnë një zgjidhje, profesor Baraliu thotë se mund të vendoset bashkarisht shpërbërja e Parlamentit, që e çon vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërkaq, nuk ka ende një datë për seancën e ardhshme konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i kësaj seance, Adem Mikullovci ka deklaruar për mediat kosovare se mbledhja do të bëhet vetëm kur koalicioni PAN të ketë votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit. Edhe Mikullovci hedh idenë e zgjedhjeve të reja parlamentare në rast se procesi i konstituimit vijon të zvarritet.