Flash News

KRYESORE

Kroacia me plane konkrete për zgjerimin e BE-së gjatë kryesimit të saj

Kroacia me plane konkrete për zgjerimin e BE-së gjatë kryesimit

Kroacia nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga ideja e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Politikanët kroatë e shikojnë këtë proces si të besueshëm e një nga politikat më të suksesshme evropiane. Sipas planit, çështja e reformimit të brendshëm do të shkojë paralele me zgjerimin.

Këtë e deklaroi ambasadori kroat në Serbi, Gordan Bakota, i cili shtoi se është tepër e ndërlikuar të arrihet uniteti i BE-së për tema të tilla.

“Ne do të bëjmë çmos për të treguar se sa i rëndësishëm është zgjerimi për transformimin e vendeve dhe na vjen keq që Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk iu dha një datë për hapjen e negociatave të pranimit”, theksoi sot Bakota për të përditshmen serbe ”Danas”.

”Në gjysmën e parë të majit të vitit 2020, Kroacia do të organizojë një Samit të Ballkanit Perëndimor , sepse ne e vendosim zgjerimin shumë të lartë në agjendën tonë të presidencës”, deklaroi Bakota, duke shtuar se Kroacia e sheh zgjerimin si një fuqi transformuese për çdo shoqëri.”

Nga 1 janari i vitit 2020, Kroacia do të marrë për gjashtë muaj presidencën e BE-së.

Bakota shtoi, se gjatë presidencës së vendit të tij, do të bëhen përparime, si në lidhje me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, ashtu edhe për vazhdimin e integrimit të Serbisë në BE.

Të fundit