Kronika e ‘Milot-Balldren’; koncesioni që nisi me kosto të lartë dhe përfundoi më keq, në një ‘piramidë mafioze’ - E SHPJEGUAR

Më 28 tetor të 2017-ës, në media do të raportohej për miratimin e projekt-buxhetit për vitin 2018-të ku parashikoheshin tetë konçesione të reja të llojit Partneritet Publik-Privat. Midis këtyre koncesioneve ishte edhe ndërtimi i aksit Milot-Balldren, me një gjatësi rreth 17 kilometër dhe me një kosto 14.2 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro.

Pas një vit e gjysmë, ky projekt me PPP ka tronditur jo vetëm ekspertët e ekonomisë, por të gjithë qytetarët pasi po konsiderohet si skandali më i madh infrastrukturor pas atij në Unazën e Madhe të Tiranës.

Le të ndërtojmë një kronikë të asaj se çfarë ka ndodhur me aferën e Milot-Balldren.

Rreth një javë pasi u bë publik miratimi i projekt-buxhetit, kryeministri Edi Rama zhvilloi më 8 nëntor të 2017-ës një takim konsultativ me grupet e interesit për buxhetin e rrugëve për vitin 2018. Duke folur për të ashtuquajturin ‘programi 1 miliard euro’, Rama deklaroi se Qeveria e tij ka vendosur një buxhet 42% më  të lartë për financimin e infrastrukturës, ku ndër të tjera përmendi edhe ndërtimin e rrugës Milot-Balldren.

Për shkak se tenderi për këtë rrugë dhe të tjerat që parashikoheshin për të ndërtuar, nuk ishte hapur ende, mediat u fokusuan te efektet negative që do sillnin në buxhetin e shtetit këto koncesione.

‘Skenar grek’ e konsideronte Zef Preçi i Qendrës Shqipëria për Kërkime Ekonomike, projektin ‘1 miliard euro’ të Qeverisë, në një analizë të publikuar nga Revista Monitor në mesin e dhjetorit të 2017-ës.

Ndonëse shumë ekspertë të ekonomisë filluan të flisnin për rrezikun që i kanoset financave të shtetit nga këto koncesione, kryeministri Rama nuk duket se i mori në konsideratë. Në janar të 2018-ës, ai foli sërish për aksin Milot-Blladren, në mbledhjen e parë të vitit, që e zhvilloi në qytetin e Lezhës. Rama e konsideroi këtë projekt si shumë të rëndësishëm për turizmin në veri të vendit, pasi bën të mundur lidhjen e Shëngjinit me Velipojën.

Gjatë gjysmës së parë të 2018-ës, nuk u raportua asgjë për Milot-Balldren, por kur po përballej me kritika të shumta sa i përket planit për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar, Rama iu rikthye në 12 qershor të vitit të kaluar, premtimeve për transformimin e Shqipërisë. Milot-Balldren u veçua sërish nga kryeministri si një rrugë që do të ndërtohej me standarde evropiane.

Rreth dy javë më pas, më 27 qershor, Këshilli i Ministrave i akordoi bonusin 8.5% shoqërisë “A.N.K.”, çka do e favorizonte kur të hapej tenderi për ndërtimin e rrugës. Kjo kompani kishte kryer edhe studimin e fizibilitetit për këtë rrugë. Ajo administrohet nga Agim Kola, por është krijuar nga Ndue Kola, ish-deputet i Partisë Socialiste. Deri në këtë moment, kosto e Milot-Balldren vijonte të ishte 100 milionë euro.

Më 25 korrik, me hapjen zyrtare të tenderit nga Qeveria, televizioni Top Channel raportoi se kosto e kësaj rruge ishte rritur papritur me 50 milionë euro. Në muajin tetor të 2018-ës, Top Channel njoftoi se fitues i tenderit ishte shpallur kompania A.N.K, e cila kishte fituar bonusin në muajin qershor. Por tashmë që tenderi kishte fitues, kosto e Milot-Balldren kishte ‘kërcyer’ në 161.5 milionë euro nga 100 milionë euro që ishte parashikuar nga Qeveria në tetor të 2017-ës. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, arsyeja e rritjes së kostos ishte ndryshimi i projektit të kësaj vepre, ku u përfshinë dhe ndërtimi i rrugëve dalëse dytësore.

Nga tetori i 2018-ës dhe deri pak javë më parë, Qeveria dhe A.N.K ishin tërhequr në negociata për koston e koncesionit. Më 23 maj të 2019-ës, gazetari i ‘Top Channel’, Klodian Tomorri do të njoftonte me një status në ‘Facebook’ se kosto e Milot-Balldren kishte kapur papritur shifrën e 256 milionë euro.

Në një vit e gjysmë, kosto e kësaj rruge ishte rritur nga rreth 100 milionë euro në 256 milionë euro, që do i paguhen kompanisë së Kolës. Qeveria nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim për këtë rritje, ndërsa kryeministri Rama, ashtu si me skandalin e Unazës së Madhe, u mjaftua në Kuvend me një justifikim duke numëruar urat dhe tunelet që parashikohen të ndërtohen në këtë aks.

Skandali është tashmë publik, ndërkohë që gazetarët dhe ekspertët e ekonomisë vijojnë denoncimet për aferën e Milot-Balldren.

Një skemë piramidale mafioze e quajti gazetarja Ornela Liperi koston e kësaj rruge, në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në News 24.

“Unë shoh dy gjëra, një skemë piramidale dhe një skemë tjetër mafioze. Në qoftë se do flasim për skemën piramidale e kompanisë, është shumë e qartë që kompania nuk ka para. Pasuria e kompanisë, duke përfshirë kapitalin, nëse shet çdo gjë, është diku tek 16 milionë euro. Kompania do marrë kredi, që jepet me garanci shtetërore, se asnjë bankë nuk i jep kredi kësaj kompanie”, deklaroi Liperi duke iu referuar kompanisë A.N.K.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Pano Soko deklaroi në të njëjtin emision se kjo aferë rrezikon edhe pastrimin e shumave të konsiderueshme të parave të pista.

Një tjetër skandal brenda Milot-Balldren është edhe fakti se çmimi në kontratë është në euro, ndërkohë që pagesat e Qeverisë për kompaninë do të jenë në lekë. Përdorimi i dy monedhave të ndryshme rrit rrezikun që me rritjen e euros do të rritet me miliarda lekë fatura që do të paguajë Qeveria.

“Shkurt qeveria ka vënë buxhetin e shtetit në kumar dhe fatura që mund të paguajnë qytetarët për këtë është shumë e rëndë”, shkruan gazetari Klodian Tomorri.

Edhe ish-ministri i Financave në Qeveritë e PS, Arben Malaj, pasi vlerëson punën e gazetarëve në denoncimin e këtij skandali, i ka bërë sot thirrje deputetëve socialistë që të reagojnë dhe të mos lejojnë kërcënimin e financave publike, jo vetëm me Milot-Balldren, por edhe me koncesionet e tjera PPP të Qeverisë, që nuk justifikojnë investimet.

As opozita nuk ka qëndruar jashtë kësaj çështjeje. Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka paralajmëruar zyrtarët e Qeverisë se do të dalin përapra drejtësisë për këtë skandal, ndërsa LSI i është drejtuar me anë të një letre delegacionit të BE-së në Tiranë, ku e denoncon Milot-Balldren si një skemë të pastër mafioze.

Politiko.al