Kryebashkiaku i Splitit vizitë në Tiranë: Nevojë për afrim të qyteteve që lagen nga Adriatiku për rritje të bashkëpunimit

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur sot homologun e Splitit, Andro Krstulović Opara, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet dhe eksperiencat mes dy vendeve.

Duke shprehur kënaqësinë e këtij takimi,Veliaj kujtoi se qyteti i Splitit, që bën pjesë në Kroaci është ka qenë epiqendra e tregtisë, e forcës detare, dhe sot epiqendër e turizmit.

Kryetari i Bashkisë së Splitit, Andro Krstulović Opara nga ana e tij falenderoi kryebashkiakun e Tiranës për mikpritjen dhe theksoi se të dyja bashkitë kanë mundësi të përfitojnë nga eksperienca më të mira për projektet që ato kanë zbatuar.

Në takim u hodh ideja për afrim mes qyteteve që lagen nga ujërat e detit Adriatik me rrugë dhe infrastrukturë, për bashkëpunim të mëtejshëm të lëvizjes të mallrave e njerëzve.

 “Edhe pse jemi dy qytete me përmasa të ndryshme, kemi shumë gjëra që na bashkojnë.  Ndaj është e nevojshme që sot qytetet të jenë më afër, me rrugë dhe me infrastrukturë.  Të shkosh në Split apo në Tiranë, pra në një qytet të Kroacisë, Bosnjës apo të Sllovenisë, ndonjëherë është më larg sesa të shkosh në një kontinent tjetër. Për të gjitha këto arsye kemi vendosur të bashkëpunojmë dhe të shtyjmë të dy qeveritë tona që ta bëjnë më të lehtë marrëdhënien mes nesh në rajon, teksa kërkojmë të integrohemi në BE”, tha Veliaj.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Splitit theksoi nevojën për bashkëpunim konkret mes të gjitha vendeve që lagen nga Adriatiku, për të krijuar infrastrukturën e përshtatshme që njerëzit dhe mallrat të lëvizin më lirshëm.

“Jemi nisur nga Spliti me makinë, ishin 10 orë udhëtim, por gjithashtu ishin 10 orë të këndshme. Mjafton të themi se kemi një distancë prej vetëm 500 kilometrash, por mungojnë rrugët, pra infrastruktura. E rëndësishme është që kryebashkiakët përgjatë bregut të Adriatikut, bashkë me qeveritë qendrore, të bëjnë një hap përpara për më shumë impenjim për të lidhur vendet dhe qytetet tona. Kjo është e rëndësishme edhe për integrimin e Shqipërisë në vendin ku duhet të jetë, në Bashkimin Europian”, tha Opara.

Opara siguroi se Kroacia do të jetë një avokate e Shqipërisë dhe Maqedonisë në samitin e Zagrebit, që do të mbahet vitin e ardhshëm, për çeljen përfundimtare të negociatave.

Në shenjë të vazhdimësisë së miqësisë mes qytetit të Splitit dhe qytetit të Tiranës, dy kryebashkiakët mbollën edhe një pemë në Parkun Europa.