Flash News

KRYESORE

Kryemadhi e bindur: Protesta e 25 Majit, më e madhja dhe më e qëndrueshmja

Dy ditë para protestës kombëtare të opozitës (PD dhe LSI), Monika Kryemadhi shprehet se kjo protestë do jetë më e madhja.

Gjatë takimit me strukturat e LSI-së në njësinë bashkiake nr.8 në Tiranë, Kryemadhi tha se sot në Shqipëri çdo ditë e më shumë protestat po bëhen edhe më të mëdha dhe se pjesa më e bukur e këtyre protestave është pjesëmarrja e qytetarëve.

Kryetarja e LSI-së tha se sot shqiptarët po protestojnë ashtu si dhe në vitet 90-të për të përmbysur regjimin diktatorial, por ndryshe nga vitet 90-të, sot po protestohet për të përmbysur regjimin diktatorial të krimit të organizuar.

“ Mendoj që duhet të jemi në aksion. Aksioni i vetëm është protesta e qëndrueshme, protestë e qëndrueshme, protestë e fortë, pjesëmarrje e madhe, përfshirje e të gjithë qytetarëve dhe jo pa qëllim ne kemi marrë iniciativën për daljen në të gjitha njësitë e Tiranës, në mënyrë të tillë që strukturat e LSI të jenë ato që ja u krijojnë infrastrukturën dhe mundësinë qytetarëve të Tiranës për të ardhur në protestat që po organizohen. Dhe sidomos protesta e 25 Majit që do të jetë vazhdimësi e të gjithë protestave të tjera që kanë ndodhur, që çdo protestë vjen duke u shtuar pjesëmarrja e bën akoma më të bukur sepse nuk janë vetëm partitë politike që marrin pjesë”, tha Kryemadhi.

Më tej ajo shtoi se partitë politike janë organizatore, por janë qytetarët ata që marrin pjesë në të gjithë këto protesta masive.

“Protestat kanë qenë protestat më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri, ato janë protestat më të mëdha në Shqipërinë më të rrudhur. Me qindra mijë shqiptarë janë larguar. Mbi 500 mijë shqiptarë janë larguar në këto tre vite dhe protesta më të mëdha Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë”, tha më tej ajo.

Të fundit