Flash News

KRYESORE

Kryemadhi: Përgjimet i vënë vulën tjetërsimit të votës, shtrihen kudo që nga jugu në veri

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se faktet e bëra publike nga gazeta gjermane ‘Bild’, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes. Ajo shtoi se ato janë vetën një pjesë e puzzle-it gjigant të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve.

“Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën.

Në fotografi mund të shikoni Edin të rrethuar nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit. Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë.

Për çdo shqiptar është më se e qartë: Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri.”, shkroi ajo në profilin saj në Facebook.

Kryetarja e LSI-së shtoi se zgjedhjet, parlamenti, kryeministri dhe qeveria janë ilegjitime.

“Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij.

Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t'i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes. Asnjë hap pas!” përfundoi Kryemadhi.

Të fundit