Kryeministri holandez: Shqipëria nuk është ende gati për nisjen e negociatave me BE

Kryeministri i Holandës Mark Rutte e bëri të qartë se Holanda nuk është kundër zgjerimit të Bashkimit Evropian, por shtetet me të cilat duhet që të hapen negociatat duhet që të jenë gati.

Ai mori shembullin e Malit të Zi, vend për të cilin mendon se kur unioni nisi bisedimet, ishte gati.

“Holanda nuk e kundërshton zgjerimin e BE-së, vetëm se vendet me të cilat hapen negociatat duhet që të jenë gati. Nuk besoj se Shqipëria është gati që të fillojë bisedimet me BE-në në këtë moment, ndërsa ajo që ka të bëjë me Maqedoninë e Veriut, ajo është më afër deri te ky qëllim”, tha Rutte për gazetën malazeze “Pobeda”.

Në samitin e Brukselit në tetor, Franca, Holanda dhe Danimarka shprehën kundërshti për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. të dyja vendet shpresojnë se ky gabim do të shlyhet në samitin e Zagrebit, por kundërshtitë vazhdojnë.