Flash News

KRYESORE

Kryeministri i Holandës takon Merkel, skeptik për integrimin e Shqipërisë: Maqedonia e Veriut ka bërë më shumë progres

“Holanda është më pak e shqetësuar për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë në lidhje me vendimin për fillimin e negociatave të pranimit në BE këtë vjeshtë”.

Kjo deklaratë, e cila vjen si një tjetër sinjal negativ për Shqipërinë erdhi nga kryeministri holandez Mark Rutte pas një takimi me kancelaren Angela Merkel, dje në Berlin.

Kryeministri Rutte u pyet për qëndrimin e vendit të tij për këtë çështje dhe tha se Holanda dhe anëtarët e tjerë të BE kanë shqetësime të mëdha për Shqipërinë dhe më pak për Maqedoninë e Veriut.

“Kemi më shumë shqetësime në lidhje me nivelin e përparimit që është arritur në Shqipëri. Ne do të diskutojmë çështjen me partnerët tanë evropianë në javët e ardhshme. Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë sesa Shqipëria, por diskutimet do të pasojnë”, u shpreh Kryeministri Holandez.

Ndërkohë, pak ditë më parë edhe ministri i Jashtëm Stef Blok, konfirmoi se parlamenti holandez nuk do të ndryshojë qëndrim nga mocioni i qershorit, për të bllokuar qeverinë Holandeze nga miratimi i hapjes së negociatave për Shqipërinë.

Blok deklaroi se negociatat me Shqipërinë do të hapen pasi të jenë përmbushur pesë kushte të vendosura nga Këshilli Evropian në vitin 2018.

Në 18 tetor, Këshilli Evropian pritet të vendosë për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Me veton holandeze, duket se nuk ka gjasa që të hapen negociatat, ndërsa perspektivat për Maqedoninë e Veriut duken më shpresëdhënëse.

Të fundit