Kryeministri indinjohet me reportazhin e “Rai 3”: S’ka pikë lidhjeje me gazetarinë

Kryeministri Edi Rama mendon se reportazhi i televizorit italian “Rai 3”, ku raportohet për rritjen e prodhimit të kanabisit në Shqipëri dhe forcimin e mafies shqiptare nuk ka pikë lidhjeje me gazetarinë.

Në një status në Twitter, ai shkruan se të vërtetën do ta tregojnë vetëm punët e veprat. Ai ndau me ndjekësit edhe qëndrimin e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, në lidhje me reportazhin transmetuar pak ditë më parë.

“S’kemi ç’bëjmë!E kotë të harxhosh kohë me shumëçka sot serviret ende si gazetari,po me gazetarinë s’ka pikë lidhje😢Çka vërtetë vlen çdo minutë janë reformat,punët, veprat. Ato do të flasin,kur llafet t’i ketë marrë era dhe baltën ta ketë fshirë uji i kohës👍”, shkroi Rama.

Përmes dëshmive të prokurorëve italianë dilte në pah se tonelata drogë ishin kapur, ndërsa të përfshira ishin edhe mafiet shqiptare, madje ata theksonin se në Shqipëri ata ishin të paprekur nga politika.