Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu nominohet për Çmimin Nobel për Paqe

Pas Presidentit Donald Trump, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe. Vendimi u mor pas marrëveshjeve historike të nënshkruara me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin në Shtëpinë e Bardhë këtë të martë.

Netanyahu u nominua nga Paolo Grimoldi, një anëtar i parlamentit të Italisë nga partia anti-migrantë e Lidhjes. Grimoldi gjatë nominimit vuri në dukje arritjet e fundit diplomatike, dhe dialogun e zhvilluar mes kryeministrit Netanyahu me Arabinë Saudite dhe hapjen e hapësirës ajrore Saudite për avionët izraelitë.

Ndër arritjet, ai përmendi nënshkrimin e djeshëm të marrëveshjes Abraham në Shtëpinë e Bardhë.

Kujtojmë se, javën e kaluar, politikani norvegjez Christian Tybring njoftoi se kishte nominuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes.

Komiteti Norvegjez i Nobelit merr qindra nominime çdo vit nga ligjvënës, anëtarë të qeverive dhe akademikë, pjesë e të cilëve për këtë vit ishin dhe Presidenti Trump me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.