Kryeministrja serbe Bërnabiç: Duam pajtim me shqiptarët, por nuk ka bashkëbisedues

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç deklaroi se vendi i saj kërkon që të pajtohet me shqiptarët, por deri më tani kjo ka rezultuar e vështirë, pasi nuk ka bashkëbisedues. Deklarata e saj u bë në Maqedoninë e Veriut, ku takoi kryeministrin Zoran Zaev. Bërnabiç u shpreh se vendi i saj është kundër kufijve etnikë me shqiptarët.

“Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, ndërsa ai ishte në krye të qeverisë, ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans që është i hapur”, tha kryeministrja.

Në zyrtarizimin e fillimit të funksionimit të vendkalimit të integruar kufitar Preshevë – Tabanovc, Bërnabiç u shpreh se “mesazhi është bashkëpunimi dhe jo pengesat, e ardhmja dhe jo e kaluara, për një rajon tjetër ku nuk do të ketë vendkalime kufitare, dogana, barriera që ngufasin qytetarët e ekonominë”.

Edhe kryeministri maqedonas Zaev deklaroi se beson se ka ardhur koha për pajtim historik mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi evropianë dhe duhet ta dëshmojmë. Udhëheqësve duhet t’u jepet një shans për të gjetur një zgjidhje, pasi kjo do të jetë jo vetëm për të mirën e vendeve të tyre, por edhe të gjithë rajonit.”, u shpreh Zaev.